TIRANE- Marrin peng të riun për arsye xhelozie, kapet i riu nga Mallakastra, në kërkim shoku i tij. Ngjarja është regjistruar më 11 korrik në një nga zonat periferike të Laprakës, ku 21-vjeçari Roland B. dhe shoku i tij, 23-vjeçari S.Q., kanë marrë peng 19-vjeçarin E.V., nga Tirana. Policia e kryeqytetit bën me dije se i riu ka qenë duke shkuar në banesën e tij pranë zonës së Nish Tullës, në momentin që i kanë dalë para dy persona dhe e kanë futur me zor në bagazhin e makinës me të cilën udhëtonin dy të rinjtë.

19-vjeçari ka shpjeguar me detaje në polici se çfarë i ka ndodhur, ndërsa ka hedhur edhe dyshimet se ngjarja ka lidhje me një vajzë, të cilën e ngacmojnë të dy djemtë. “Më goditën në fillim me grushte dhe më pas më futën në bagazhin e makinës. Aty më kanë mbajtur më shumë se një orë. Kur më nxorën, vura re se kishim dalë diku në një zonë që nuk e njihja, dhe pasi më nxorën, më pyetën se çfarë lidhjeje kisha me N. Ua shpjegova se nuk kisha asgjë me të dhe pastaj më lanë në një rrugë afër shtëpisë, dhe kur ikën më thanë se nëse do më shikonin sërish pranë vajzës, do më vrisnin”, ka shpjeguar para efektivëve 19-vjeçari E.V.

Nisur nga dëshmia e tij, policia ka hedhur dyshime se ngjarja ka lidhje pikërisht me një vajzë, e cila fillimisht mësohet se ka dalë me njërin prej pengmarrësve dhe më pas ata e kanë parë nën shoqërinë e 19-vjeçarit. Pas ngjarjes, mësohet se ka qenë 19-vjeçari ai që ka bërë denoncimin në polici, të cilët janë vënë në kërkim të autorëve. Mësohet se dy ditë më parë, uniformat blu të Komisariatit numër 3 kanë vënë në pranga Roland Beqirajn, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për kapjen e shokut të tij.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: