NGA OLA MITRE*
TIRANË- Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në bashkëpunim me ministrinë e linjës është duke punuar për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë shtetas shqiptarë, me qëllim mbrojtjen shoqërore e më konkretisht njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Përmes tyre synohet që shtetasve shqiptarë që kontribuojnë në këto shtete të mos u digjet asnjë sigurim e po kështu edhe shtetasve të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve paraprihet nga disa raunde negociatash, ndërkohë që për shtete të ndryshme, faza në të cilat ndodhen secila prej tyre është e ndryshme. Negociatat janë të hapura me 14 shtete, ndërkohë që vetëm njëra prej marrëveshjeve është finalizuar plotësisht e është duke u aplikuar.

Bëhet fjalë për mbrojtjen shoqërore të shtetasve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Turqi dhe anasjelltas, të cilët po përfitojnë nga marrëveshja e lidhur mes dy vendeve. Ajo hyri në fuqi në datën 15.04.2005, ndërkohë që sipas ISSH, në zbatim të saj janë kryer deri tani 500 procedura, duke realizuar kështu të drejtat e shtetasve shqiptarë dhe turq për sigurimet shoqërore. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare”, duke iu referuar informacionit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe marrëveshjeve të nënshkruara në muajt e fundit, publikon sot fazat nëpër të cilat kanë kaluar dhe ndodhen aktualisht negociatat në 14 shtete e më konkretisht: Itali, Greqi, Francë, Gjermani, Belgjikë, Bullgari, Rumani, Hungari, Holandë, Çeki, Maqedoni, Kroaci, Luksemburg dhe Kanada.

GJERMANI

Bashkëpunimi me institucionet gjermane është nxitur për faktin se Gjermania është vendi i tretë për numrin e emigrantëve shqiptarë. Në datat 20-22 janar 2015, në Tiranë u çelen negociatat për realizimin e një marrëveshjeje dypalëshe, në fushën e mbrojtjes shoqërore në Republikën e Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Në datën 29 prill 2015 u mbyll me sukses raundi i dytë i negociatave, ndërkohë që finalizimi i marrëveshjes pritet të bëhet në vjeshtë të këtij viti. Kjo marrëveshje do të mundësojë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të derdhura nga qytetarët shqiptarë në shtetin gjerman dhe anasjelltas, ndërsa prej saj do të përfitojnë rreth 19 mijë qytetarë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

KANADA

ISSH ka nxitur ndërtimin e marrëdhënieve me institucionet homologe kanadeze, për shkak të numrit në rritje të emigrantëve shqiptarë në Kanada. Në procesin e përgatitjes së draftit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Zhvillimit të Burimeve Njerëzore të Kanadasë, në nëntor 2011, ISSH theksoi nevojën e fillimit të negociatave për realizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore midis dy vendeve. Në gusht 2012, nga ky institucion, është dërguar në Ministrinë e Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit të Aftësive, një draft-protokoll teknik bashkëpunimi me Bordin Kanadez të Investimit të Planit të Pensioneve.

Në datat 26-30 maj 2014, në Kanada u zhvillua raundi i dytë i negociatave për realizimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore midis Kanadasë dhe Republikës së Shqipërisë. Në datat 1-4 dhjetor 2014, në Shqipëri u zhvillua raundi i tretë i negociatave midis delegacionit të Shqipërisë dhe Kanadasë, për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes shoqërore. Në këtë raund negociatash u diskutua dhe finalizua draft-marrëveshja administrative dhe formularët e komunikimit midis dy vendeve. Negociatat 2-vjeçare u finalizuan në 22 prill të këtij viti, ndërkohë që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 70 mijë shtetas shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Tashmë pritet që marrëveshja në fjalë të kalojë për votim në parlamentet respektive, në mënyrë që të bëhet efektive.

MAQEDONI

Në 19-20 maj 2011, në Shkup u zhvillua raundi i parë i bisedimeve për negocimin e Marrëveshjes të Mbrojtjes Shoqërore midis Republikës të Shqipërisë dhe Republikës të Maqedonisë. Raundi i dytë i negociatave, për realizimin e marrëveshjes, u zhvillua nga 27-29 mars 2012, në Tiranë. Nga 11-13 mars 2013, në Shkup u mbajt raundi i tretë i negociatave dhe në datën 14 nëntor 2014 u zhvillua raundi i fundit në Tiranë, duke finalizuar projekt-marrëveshjen nga pikëpamja teknike dhe duke i hapur rrugë vazhdimit të negociatave për realizimin e marrëveshjes administrative. Në datën 17 mars u nënshkrua edhe marrëveshja përfundimtare nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe homologu i tij maqedonas, Dime Spasov. Ndërkohë që pritet që ajo të kalojë në parlamentet e dy vendeve për votim në mënyrë që të hyjë në fuqi.

LUKSEMBURG

Në 6-9 nëntor 2012 filluan negociatat për realizimin e marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqërore” midis Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut. Raundi i dytë i negociatave për diskutimin e projekt-marrëveshjes dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet dy vendeve u zhvillua në Tiranë nga data 10-13 shtator 2013. Në datat 28-30 janar 2014, u zhvillua në Luksemburg raundi i tretë i në të cilën u mbyllën negociatat me sukses për realizimin e kësaj marrëveshje. Në datën 27 tetor 2014, u nënshkrua marrëveshja dypalëshe për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut. Qëllimi i kësaj marrëveshje është mbrojtja dhe sigurimi i qytetarëve që kanë periudha sigurimi në këto vende, në mënyrë të tillë që çdo kontribut i tyre mos humbasë, por të merren në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni. Marrëveshja është ratifikuar nga Parlamenti shqiptar dhe është botuar në Fletoren Zyrtare rreth 2 javë më parë, ndërsa pritet ratifikimi nga Parlamenti i Luksemburgut.

BELGJIKË

Raundi i parë i bisedimeve për realizimin e marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës u zhvillua në mars të vitit 2010, në Bruksel. Në 27-29 qershor 2011 u zhvillua raundi i dytë i bisedimeve. Raundi i tretë dhe i fundit i negociatave u zhvillua nga data 28 janar- 1 shkurt 2013, në Bruksel. Në këtë raund u ra dakord dhe për projekt-marrëveshjen administrative, për zbatimin e marrëveshjes bazë të mbrojtjes shoqërore, midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Më 3 prill 2014 përfundoi procesi i ratifikimit nga Parlamenti Shqiptar i Marrëveshjes, me Ligjin nr.35/2014 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore”, publikuar në Fletore Zyrtare nr.57, datë 24.04.2014. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 35 mijë persona.

FRANCË

Ndërmjet ISSH-së dhe Institutit Kombëtar të Sigurimit për Pensione të Francës, është nënshkruar në maj të vitit 2005 një Protokoll Teknik Bashkëpunimi, i cili është në fuqi. Në kuadër të këtij Protokolli, janë bërë disa vizita studimore nga punonjës të ISSH-së në Francë, për shkëmbimin e eksperiencës dhe ngritjen e cilësisë së menaxhimit të skemës për t’u përballur me sfidat e procesit të integrimit të saj. Ende nuk ka negociata të hapura për të arritur një marrëveshje të ngjashme me shtetet e tjera.

BULLGARI

Është në vazhdim procesi i negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë. Kjo marrëveshje do të zëvendësojë marrëveshjen e vjetër të ratifikuar më 20.05.1952, por që zhvillimet e reja legjislative e kanë bërë praktikisht të pazbatueshme.

RUMANI

Në periudhën post-komuniste në Rumani emigruan shumë shtetas shqiptarë. Krijimi i këtij komuniteti dhe lëvizja e lirë e qytetarëve në të dy vendet, nxiti autoritetet e të dy palëve për fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale për mbrojtjen sociale dhe zëvendësimin e marrëveshjes të vjetër, ratifikuar në 03.05.1961, që zhvillimet e reja e bënë praktikisht të pazbatueshme. Dy raundet e para të negociatave u zhvilluan në nëntor 2000 dhe maj 2004. Nga 3-7 dhjetor 2012, në Bukuresht, u zhvillua raundi i radhës i negociatave për Marrëveshjen Bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Rumanisë. Në 13-15 maj 2014 në Tiranë u zhvillua raundi i fundit i negociatave, ku u ra dakord për draftin e Marrëveshjes Administrative, në zbatim të marrëveshjes bazë për mbrojtjen shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Rumanisë.

HUNGARI

Bashkëpunimi me Administratën Qendrore të Sigurimit për Pensione (ONYF) ka filluar në vitin 2002, pas kërkesës së bërë nga një grup përfaqësues i komunitetit shqiptar të emigruar pas viteve 90, në Budapest, lidhur me njohjen e vjetërsisë në punë dhe totalizimin e periudhave të sigurimit në të dy vendet. Raundi i parë i negociatave për realizimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore midis Republikës të Shqipërisë dhe Hungarisë u zhvillua në datat 24-25 tetor 2005, në Tiranë. Fushat e përfshira në projekt-marrëveshjen dypalëshe janë përfitimet shëndetësore, pensionet e skemës së detyrueshme, aksidentet në punë/sëmundjet profesionale dhe përfitimet në para për sëmundje dhe barrëlindje. Nga data 20-24 shkurt 2006, në Budapest, u zhvillua raundi i dytë i negociatave për projekt-marrëveshjen e mbrojtjes shoqërore midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Gjatë bisedimeve intensive të zhvilluara në raundin e tretë të negociatave, 17-20 prill 2012, palët ranë dakord dhe përfunduan Marrëveshjen Administrative, në zbatim të marrëveshjes bazë për mbrojtjen shoqërore. Në 25 -27 shkurt 2014, u zhvillua raundi përmbyllës i negociatave për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Hungarisë dhe u finalizua me nënshkrimin e saj në datë 10.12.2014, në Tiranë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente. Aktualisht marrëveshja do i nënshtrohet procesit të ratifikimit.

HOLANDË

Ministria e Çështjeve Sociale dhe Punësimit të Holandës, nëpërmjet Ambasadës së Mbretërisë në Tiranë, ka sjellë në ISSH draft-marrëveshjen “Mbi eksportimin dhe detyrimin për dhënien e përfitimeve të mbrojtjes sociale”. Kjo draft-marrëveshje u diskutua dhe iu bënë vërejtjet përkatëse nga specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në pritje të vazhdimit më tej të procesit.

ÇEKI

Midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke ka një marrëveshje, të nënshkruar më 30 qershor 1960, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes sociale, e cila nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë. Në 21 – 25 maj 2012, në Pragë, u zhvillua raundi i parë i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore midis Republikës të Shqipërisë dhe Republikës së Çekisë. Raundi i dytë i bisedimeve u zhvillua nga data 9-12 prill 2013, në Tiranë. Për momentin nuk dihet se kur do të realizohet raundi i tretë i negociatave për të arritur në një draft-marrëveshje.

KROACI

Midis Republikës të Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, nuk kanë filluar ende negociatat për një marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore. Për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, sipas ISSH-së do fillohen, së pari, bisedimet për realizimin e një protokolli teknik bashkëpunimi midis këtij institucioni dhe Regjistrit Qendror të Personave të Siguruar (REGOS) të Kroacisë.

ITALI & GREQI

Dy shtetet ku negociatat pritet të jenë më komplekse janë Greqia dhe Italia për shkak të numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë në këto shtete. Deri më tani Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar protokolle teknike bashkëpunimi me një sërë institucionesh homologe italiane, ku palët janë angazhuar që t’iu ofrojnë (pa pagesë) emigrantëve shqiptarë lehtësira për informimin e tyre në fushën e mbrojtjes shoqërore dhe t’u krijojnë kushte për derdhjen e kontributeve vullnetare, në mënyrë që, duke jetuar e punuar në Itali, të mund të plotësojnë periudhat e nevojshme për të përfituar pension në Shqipëri, si një mundësi në mungesë të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore midis dy vendeve.

Ndërkohë që, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se pas vizitës së kryeministrit italian në vendin tonë, Matteo Renzi ka nisur bashkëbisedimi për të ngritur grupet negociatore me Italinë. Sa i takon shtetit helen, ende nuk ka negociata të nisura zyrtarisht, ndërkohë që ISSH, duke pasur parasysh se në Greqi, është numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, ka insistuar të thellojë bashkëpunimin dhe të realizojë Protokoll Teknik Bashkëpunimi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA. Një hap të mëtejshëm në këto marrëdhënie, shënoi rinovimi i Protokollit të Bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Greke në gusht të vitit 2006, dhe ngritja e një grupi pune për t’i dhënë shtysë të mëtejshme bisedimeve. Në nëntor të vitit 2008, në një takim pune, u ra dakord për nisjen e procedurave për nënshkrimin e një Protokolli Teknik Bashkëpunimi midis ISSH-së dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA dhe fillimit të bisedimeve për realizimin e marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb