Të gjithë ata persona që dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar pension pleqërie nga shteti shqiptar duhet të kenë parasysh moshën dhe vitet e punës me kontribute. Por jo në pak raste, vitet e punës me sigurime nuk mund të dokumentohen e si pasojë edhe masa e pensionit caktohet më e ulët nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. “Gazeta Shqiptare” publikon sot hapat që duhet të ndjekin individët që kanë humbur librezën e punës, në mënyrë që të përfitojnë një pension më të lartë.

Dokumentacioni
Individi që mendon se mund të përfitojë pension pleqërie duhet të bazohet te kriteret, mosha dhe vitet me kontribute. Domosdoshmërish duhet të ketë dokumentin që vërteton moshën, e cila duhet të jetë mbi 60 vjeç e 8 muaj për gratë e mbi 65 për burrat. Tashmë është më e thjeshtë për ta verifikuar vërtetësinë e moshës, pasi vetë ISSH ka akses mbi regjistrin themeltar të shtetasve. Megjithatë, qytetari duhet të dorëzojë një fotokopje të kartës së identitetit, e në rastet kur pretendon të marrë kompensime të tjera që i bashkëngjiten pensionit, duhet të dorëzojë edhe dokumente të tjera si certifikata familjare për të verifikuar pjesëtarët e familjes. Kur individi mendon se ka 40 vite punë, duhet të paraqesë librezën e punës dhe dokumentin që vërteton pagat që ka marrë nga 1 janari i 1994 e deri më sot. Për të gjithë ata që kanë punuar pas 1 janarit të vitit 1994 e deri më sot, listëpagesat janë grumbulluar në arkivën e sistemit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që funksionon edhe sot. Ndërsa për periudhat kur individi ka punuar para vitit 1994, shërben libreza e punës dhe nuk është e nevojshme të sjellë vërtetime page.

Hapat që ndiqen kur humb libreza e punës
Kur individi humb librezën e punës, ai duhet të paraqitet pranë ISSH-së, madje edhe në rastet që ende vazhdon të punojë me kontribute. Në këtë rast, personi bën një kërkesë deklarative në të cilën jepen të dhënat individuale të personit, paraqitet historiku i të gjitha punëve që ka bërë i siguruar. Dhe pas kësaj duhet, të shpjegojë që vetë personi të fjalë kërkon të pajiset me një dokument të ri ku të konfirmohen të gjitha vitet e punës që individi ka kryer. Para se të përllogaritet masa e pensionit, punonjësit e sigurimeve shoqërore shumëzojnë të gjitha pagat që nga dita e fillimit të punës deri sa qytetari ka ndërprerë punën me disa koeficiente që janë të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Shumëzimi bëhet me koeficientin 8.59 për periudhat deri më 31 dhjetor 1993, pastaj vazhdon me koeficiente të ndryshme për çdo vit, deri sa ka ndërprerë marrëdhëniet e punës. Nëse nuk arrihet që të gjenden 5 vite punë që nuk janë shënuar në librezën e punës apo nuk gjendet as libreza, mund të kërkohet libri i pagave. Por, për këtë mjafton të jetë çdo dokument zyrtar: siç mund të jetë një dokument kontabël apo një fletë emërimi.Organet e sigurimeve shoqërore janë të detyruara ta marrin kërkesën deklarative dhe të vënë në dijeni qytetarin që duhet të presë jo më shumë se 60 ditë, derisa të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme mbi të gjitha punët që ka bërë personi.

Shkrimin e plotë e lexoni në GSH.al  http://www.gsh.al/2018/05/30/pensionet-si-duhet-te-veproni-kur-keni-mungese-dokumentacioni/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: