NGA OLA MITRE*-
TIRANE
-Posta Shqiptare ka dy fishuar tarifën e shërbimit për dorëzimin e pensioneve të pleqërisë nëpër shtëpi. Kjo do të thotë se kjo pagesë, nga 50 lekë që ishte aktualisht do të shkojë në 100 lekë, ndërkohë që vendimi ka hyrë në fuqi duke filluar nga data 1 nëntor 2014. Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të Postës Shqiptare shkak për këtë vendim është bërë mospërballimi i kostove të këtij shërbimi.

“Bëhet fjalë për shtimin e një pulle të re në zarf, e cila kushton 50 lekë. Pra nga një pullë që kishte aktualisht zarfi, ai do të përmbajë dy të tilla. Kjo masë u ndërmor për të përballuar kostot e këtij shërbimi nëpër shtëpi, pasi deri më tani institucioni dilte me humbje”, u shprehën për “Gazeta Shqiptare” përfaqësuesit e këtij institucioni. Sa i takon ‘vjeljes’ së kësaj tarife nuk do të ketë ndryshim të procedurave, pasi ajo do të zbritet nga shuma totale e pensionit. “Tarifa për shërbimin e dërgimit të pensionit në banesë nuk ndryshon, ndërkohë që në zarfin që i çohet pensionistit saktësohet se në vlerë do të ketë 100 lekë më pak”, sqaruan specialistët e postës.
Shërbimi
Posta Shqiptare mundëson për të gjithë pensionistët shërbimin e shpërndarjes të pensioneve në çdo banesë. Tashmë ky shërbim mund të zgjidhet nga çdo person i interesuar kundrejt shumës prej 100 lekësh në muaj. Për të mundësuar këtë shërbim mjafton që pensionisti të plotësojë formularin e kërkesës që ndodhet në zyrën postare. Formulari përmban gjeneralitet e pensionistit, adresën e saktë të vendbanimit ku do t’i dërgohet pensioni dhe nëse është e mundur edhe një numër kontakti. Pak kohë më parë ishin rreth 156 mijë pensionistë, që kishin zgjedhur këtë shërbim të ofruar, shifër kjo që përbënte 30 për qind të të gjithë pensionistëve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb