Nga OLA MITRE*

TIRANË- Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen shoqërore”. Falë kësaj marrëveshjeje, çdo shtetasi shqiptar që punon në Luksemburg do i njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për pensionin e pleqërisë. Po ashtu, ajo mundëson që edhe shtetasit e Luksemburgut që punojnë në vendin tonë të kenë të njëjtat përfitime.

Projektligji u miratua në unanimitet nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, por kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se qeveria duhet të fokusohet te marrëveshje të tilla, por në shtetet ku numri i shqiptarëve është edhe më i madh. “Edhe opozita është e mendimit që, pavarësisht se minimale, impakti është pozitiv, për shkak të numrit shumë të vogël të shqiptarëve në Luksemburg apo të banorëve të tyre këtu në Shqipëri.

Është marrëveshje e dobishme, sepse mbulon aktivitetin e emigrantëve shqiptarë, të cilët në këtë mënyrë do të bëjnë të mundur grumbullimin e viteve të tyre të punës dhe kur të kenë realizuar moshën e pensionit, do të bëhet e mundur edhe përfitimi i një pensioni.

Ne si opozitë mendojmë se është një veprim në parim pozitiv, i kërkuar në mënyrë intensive nga emigrantët shqiptarë kudo ku janë, por duam që të inkurajojmë qeverinë, Ministrinë e Mirëqenies dhe Kryeministrin, që ta vënë pikë kryesore në axhendën e tyre, që në të gjitha vizitat dypalëshe që ata bëjnë, të insistojnë kryesisht me ato shtete ku numri i qytetarëve është shumë i madh”, – u shpreh Vokshi. Po ashtu, në emër të grupit parlamentar të PS-së, nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu tha se këto marrëveshje duhet të shtrihen edhe në vende të tjera, jashtë Evropës, ku punojnë emigrantët shqiptarë.

“Kjo është një marrëveshje që konsiston në afrimin e mbrojtjes në aspektin shoqëror dhe jo në aspektin e kujdesit shëndetësor, për një trajtim të barabartë dhe përfitim me të ardhura të barabarta të punëtorëve, që janë punësuar në vende të tjera dhe sigurojnë të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre në bazë të bashkimit të periudhave. Ne jemi shumë të interesuar që këto marrëveshje të realizohen edhe me vende të tjera të Europës, apo jashtë saj, ku ka një numër të lartë emigrantësh shqiptarë”, – tha Spahiu.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb