Në emisionin Open në News24 është diskutuar lidhur me pensionet.

Kujtim Doko, i cili ka një pension 13-14 mijë lekë në muaj, u shpreh se niveli i pensioneve në Shqipëri është qesharak.

Doko tha se me pensione të tilla jeta është e papërballueshme. “Na kanë mbajtur me fjalë të ëmbla, me fjalë të mira, por në fakt jemi përdorur, edhe pse e kemi votuar këtë Kryeministër”, tha pensionisti. Sipas tij, pensionistët po heqin të zinjtë e ullirit.

“Po e shtyjnë sa të mundin, është e pamundur të shtyjnë muajin, nëse nuk kanë ndihmë prej fëmijëve. Nëse nuk është kjo ndihmë, çdo pensionist është i mbaruar”, tha Doko.

Në vijim ai u shpreh se duhet miratuar minimumi jetik dhe në bazë të këtij të vendoset minimumi i pensionit. “Minimumi jetik nuk mund të jetë nën 30 mijë lekë”, tha ai.

Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë tha se në Shqipëri pensionet mesatare janë edhe nën Moldavinë. “Pensioni mesatar në Shqipëri është nën vlerën e minimumit jetik, thënë shqip: nuk mbush dot barkun me bukë”, tha Qori, duke bërë përgjegjës Kryeministrin lidhur me këtë gjendje ku ndodhen pensionistët në vend.

Ai tha se janë qindra miliona euro që vidhen, ata mund të shkonin në subvenciononin skemën e pensioneve.

Referuar pr/buxhetit për 2025, Qori tha se raporti kontribues-pensionist do të jetë 1.17, aq sa është edhe sot. Në këtë kuadër, Qori tha se kjo qeveri tregon se nuk do të luftojë as informalitetin, as do të bëjë asgjë për të ndryshuar situatën.

“Kemi një qeveri që tallet me pensionistët, mendon se ata 700 mijë pensionistët i ka në xhep dhe vijon tallet. Del Kryeministri dhe nuk di se çfarë thotë, njëherë flet për bonuse, pastaj për rritje. Rama i përzgjedh edhe ata pensionistët që thërret në takime”, tha Qori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: