Ekspertja e ekonomisë Teuta Kërtoçi ka shpjeguar pse pensionet në Shqipëri nuk rriten në atë masë që të përmbushin nevojat e qytetarëve të moshuar. Ajo tha rritja ekonomike e Shqipërisë nuk është në shifrat e duhura për të bërë të mundur përkthimin e saj në rritje të pensioneve.

Kërtoçi shtoi gjithashtu se qeveritë nuk i konsiderojnë pensionistët si grup në nevojë, kjo për shkak të familjarëve emigrantë apo dhe të tjerët të punësuar brenda vendit, që i mbështesin ata për të përballuar jetesën.

“Ekonomitë rriten, por që kjo ekonomi të japë efekt dhe të ndikojë në ekonominë familjare duhet të ketë një rritje 7-8%. Kjo e mban një ekonomi stabël në nivel makro, por në nivel mikro nuk sjell asnjë ndryshim. Për pensionet, në momentin që individi ka dalë në pension dhe ka blerë 5 njësi malli, indeksim do të thotë që në çdo moment të viteve në vijim të vazhdojë t’i blejë këto 5 njësi matëse. Kjo rritje ekonomie vazhdon të mbajë në të njëjtat linja indeksimin e pensionit sa për të mbajtur këtë fuqi blerëse.

Asnjë qeveri nuk e ka parë pensionistin si grup shoqëror në nevojë. Rritja ose indeksimet, sepse në vlerë nominale do kemi rritje, qeveritë s’e kanë parë pensionistin si grup të nevojshëm që ka dhënë kontribut për shoqërinë dhe kjo duhet t’i kthehet. Është konsideruar që pensionistët kanë një mbështetje të dytë nga fëmijët e tyre, qoftë ata në emigracion, por edhe ata në Shqipëri, të punësuar. Është konsideruar si një grup i dytë. Asnjë qeveri e tranzicionit nuk i ka mbështetur pensionistët. Dhe asnjë qeveri nuk ka ushtruar kontrolle mbi biznesin që të kishim më pak informalitet”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb