GJERMANI- Pensionisti Horst Kress ka vendosur të bëjë një hap të jashtëzakonshëm. Ai do të adoptojë dy vëllezër nga Shqipëria, të cilët prej 16 vitesh janë në arrati nga frika e gjakmarrjes së një familjeje hasmësh, shkruan n-land.de. Adoptimi i tyre për pensionistin nga Winkelhaidi duket të jetë shtegdalja e fundit nga një dilemë që e mundon: pasi shteti gjerman nuk e pranon gjakmarrjen si bazë për azil, dy vëllezërit 28 dhe 38-vjeçar janë detyruar para disa javësh të lënë Gjermaninë.

Dhe në Itali më pas ata janë zënë me familjen që kanë hasmëri, ndërsa vëllai i tyre i madh, Selfo, është plagosur nga ata me thikë dhe ndodhet i shtruar në një spital të Milanos, jashtë rrezikut për jetën.

Dy vëllezërit kanë jetuar në një qendër azili në Winkelhaid nga prilli 2015 deri në marsin e vitit 2016. Horst Kress nga rrethi i mbështetësve të refugjatëve, e ka gjetur shumë shpejt gjuhën e përbashkët me dy vëllezërit. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se edhe ai, sikur ata, e flet italishten rrjedhshëm. Kur u erdhi në muajin mars vendimi për kthim, ata vendosën të ktheheshin në Milano, përcjell albinfo.ch.

Babai i tyre gjatë të shtënave tradicionale në një dasmë, në vitin 2000 kishte qëlluar padashur fqinjin e tij. Prej atëherë, familja e dëmtuar kërkon të hakmerret. Për këtë arsye Selfoja dhe Valeriani ndodhen në arrati prej 16 vitesh.

Në këto rrethana, mundësia e vetme për t`u siguruar një të drejtë qëndrimi në Gjermani dy vëllezërve ka mbetur adoptimi (birësimi). Pensionisti Kress, i cili ka punuar si pedagog dhe psikolog, e ka shpallur vendimin e tij në gjykatën familjare në Hersbruck, transmeton albinfo.ch. Por atij i duhet që të vërtetojë në noterit vendimin e tij dhe ta dërgojë në Milano, ku së bashku me të dy “bijtë” e tij të adoptuar duhet të vërtetojë gjendjen edhe te noteri italian. Kur të gjitha këto të jenë zgjidhur, familja nga Winkelhaidi shpreson të bëhet me dy “bij” të saj të rritur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: