SHBA- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta ushtarake nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Haradinaj e ka informuar Sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në takimin me krerët më të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garante e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë.

Ai e njoftoi sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Washingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga Sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.

“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje ka qenë dhe është SHBA-ja. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikanë duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenarë”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj e ka informuar Sekretarin e Mbrojtjes Mattis se Kosova është e gatshme të përmbyllë procesin e dialogut me Serbinë dhe të përfundojë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Nga ana tjetër, Sekretari Mattis ka shprehur konsideratat më të larta për popullin e Kosovës, të kaluarën e saj dhe aspiratat për të jetuar të lirë si pjesë e familjes euro-atlantike.

Sekretari Mattis ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë Amerikane për të ndihmuar Kosovën në procesin e dialogut, por edhe në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Në këtë kontekst sekretari Mattis konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për FSK-në dhe procesin e ndërlidhur me transformimin e kësaj force konform planit strategjik të paraparë. Në këtë plan Sekretari Mattis konfirmoi se SHBA do të punojë ngushtë në implementimin e secilës etapë të këtij plani.

Pritja zyrtare me nderime ushtarake në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, është një nga takimet e posaçme në kuadër vizitës zyrtare që Kryeministri Haradinaj është duke e zhvilluar në ShBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb