Nga: Kastriot Dervishi
Nuk është as çudi e as ndonjë gjë e re të them se Shqipëria është një shtet pa themele, me mure të lyera bukur, me çati me tjegulla europiane dhe me një altoparlant të mirë propagande mbi të. Themelet e çdo shteti janë arkivat. Ata që deklarojnë se “po bëjnë shtet” ta harrojnë këtë sepse shtet pa arkiva nuk ka. Çfarë i ndodh një shteti që është pa themele. Shembet gjithnjë bashkë me muret e tjegullat e bukura. Nuk e ngre kokën asnjëherë. Është rrumpallë që nuk e ndreqin as kasetat e as batutat.

Të gjitha defektet në një shtet rrumpallë këto vijnë për dy arsye: nga mosinvestimi sistematik në rrjetin arkivor dhe nga keqtrajtimi e përbuzja sistematike ndaj arkivistëve. I shkruaj këto rreshta nisur nga lajmet për dosjet e grumbulluara në Gjykatën e Tiranës, por edhe nisur nga shqetësimet si arkivist. Këto janë probleme të trashëguara prej shumë vitesh, nuk lindën sot. U harrua p.sh. që në vitin 2000 hyri ujë në arkivin e Gjykatës së Tiranës. Çfarë masash u morën në atë kohë? Asgjë me rëndësi. U dërguan dosjet e shpëtuara në Ministrinë e Drejtësisë. Nëse kërkon sot një vendim të këtij grupi, nuk ka njeri që të jep përgjigje.

Qysh në fillim e theksoj se nuk është as përgjegjësia e kryetares së gjykatës dhe besoj as e arkivistëve (që kanë bërë maksimumin nga çdo aspekt, madje edhe mbinjerëzor), por e drejtpërdrejtë e një shteti të papërgjegjshëm në drejtim të arkivave. Gjykatat, prokuroritë, etj, organe në varësi administrative të Ministrisë së Drejtësisë, nuk kanë arkiva dhe nuk duhet të kenë. Nga halli që i ka zënë bëjnë edhe këtë punë. Kanë vetëm sekretari-arkiva që administrojnë dokumentacionin e çështjeve në gjykim. Të drejtën e arkivimit të dosjeve e ka vetëm Arkivi i Sistemit i Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë gjykatë, aq më tepër ajo e Tiranës nuk mund të administrojë një numër aq të madh dosjesh dhe të përballojë dinamikën e punës që krijon përditshmëria. Pra çështja fillon nga funksionimi i Arkivit të Sistemit të MD-së e pastaj te të tjerat.

Dokumentacioni i trashëguar nga sistemi gjyqësor deri në vitin 1944 (ai që mundi të ruhej) u administrua nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA). Dokumentacioni i krijuar pas vitit 1944 nga gjykatat dhe prokuroritë (përjashto dokumentet administrative të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por jo vendime apo çështje, deri në një periudhë në AQSH) ndodhet i shpërndarë nëpër gjykata dhe prokurori. Po ashtu, pranë prokurorive ndodhen dokumente që i përkasin veprimtarisë së ish Hetuesisë së Përgjithshme në vitet 1983-1992.

Arkivi i Sistemit i MD-së është ngritur para 2 vjetësh. Këtij arkivi i duhet të zgjidhë një aktivitet 70-vjeçar të organeve të drejtësisë në Shqipëri, pra një sfidë shumë e madhe. Nga sa kam vërejtur, çështja nuk u mor seriozisht sepse nuk u krye investimi fillestar, pra një godinë e veçantë e standardit perëndimor në Tiranë. U mjaftuan me hapjen e një zyre brenda godinës së MD-së dhe me një depo të vogël në periferi të Tiranës. Po ashtu nuk u caktua personeli i nevojshëm. Për aq kohë sa Ministria e Drejtësisë nuk do ndërtojë Arkivin e Sistemit të saj, një godinë model dhe unike, i gjithë sistemi i saj do ketë probleme. Për këtë mjafton të tregohen një herë bujarë si në rastet e ndërtimit të burgjeve. Një investim themelor për Arkivin e Sistemit të MD do t’i sjellë shtetit në të ardhmen kursimin e miliona eurove që mund t’i paguaja nga mosgjetja e dokumenteve për çështje të ndryshme. Koncepti i depove për arkivat është koncepti komunist i ndërtimit të shtetit. Arkivi i Sistemit të MD-së nëse do ngrihet sipas koncepteve perëndimore mbi shina ligjore dhe profesionale, do administrojë mirë dokumentacionin e gjykatave, prokurorive, burgjeve, hipotekave, noterëve (kur vdes një noter dokumentet nuk dihen ku shkojnë), etj.

Një arkiv tjetër aktualisht jashtë funksionit është Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Si pasojë e një politike të pashpjegueshme armiqësore ndaj tij, sot ka vetëm një arkivist në punë nga të paktën 40 që duhet të ketë. I gjithë sistemi dokumentar i kësaj ministrie është jashtë loje dhe situata vetëm në sekretari-arkivat e kartotekat e policisë është shumë problematike./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb