TIRANË

Policia e Shtetit vijon operacionet e riatdhesimit të shtetasve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian, organizuar nga Franca dhe Frontex dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 34 shtetas shqiptarë, nga të cilët 29 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.

Të riatdhesuarit kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen, kishin kërkuar azil dhe kishin tentuar të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet Francës.
Operacionet e riatdhesimit sipas policisë, do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Ndërkohë Policia Kufitare do të vijojë me kontrollet e rrepta në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe me patrulla të shtuara në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb