Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Zgjedhjet vendore duhej të ishin për qytetarin dhe nevojat e tij në qytetin apo fshatin ku banonte. Në garën e kandidatëve duhej të trajtoheshin me detaje mangësitë e jetës urbane në qytetet dhe fshatrat tona. Në çdo takim zgjedhor kandidati duhej të zbërthente përpara njerëzve idetë e tij, vetjake, të tijat, si do t’i trajtonte këto mangësi e çdo të bënte për zhvillimin e komunitetit. Të tregonte se çfarë merrte përsipër si përgjegjësi që qytetarët do t’ia përmendnin çdo ditë si angazhime të vetat. Nuk ka si të ketë rëndësi shpalosja zulmëmadhe e partisë dhe krerëve të saj, që e kanë caktuar kandidatin në këto takime zgjedhore. Dhe simbolet apo prania e bojarëve të partive nuk kishte pse të ishin kaq dominuese dhe përcaktuese. Dhe natyrshëm pastaj, përzgjedhja e çdo votuesi për kandidatin e zemrës duhej të vinte nga fakti se sa serioz ky i fundit tregohej në planet dhe premtimet e saj/tij si kandidat, sa i besueshëm ishte në projektet për fondet e kushtëzuara të qeverisë qendrore e deri te kreditë që bashkia mund të marrë në tregun bankar të nivelit të dytë në Shqipëri. Për fatin tonë sërish jo të mirë, edhe këto zgjedhje do përfundojnë nën kumtin dhe peshën e partive kryesore politike te ne. Do të analizohen si garë se sa bashki u lyen me rozë e sa me blu. Sa u thellua rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme dy vjet më parë në filan apo fistek bashki, sa u pohua ai apo sa u përmbys në zona bastione të së djathtës apo së majtës, sa ky votim parathotë rezultatin e votimit të përgjithshëm dy vjet më vonë, e me radhë. Dhe çdo lapsaxhi që merr përgjegjësinë të thotë të tijën për këto zgjedhje, do të krahasojë rezultatet me ato të katër viteve më parë dhe me zgjedhjet e përgjithshme. Kur në të vërtetë, në këto zgjedhje, çfarë ka rëndësi për çdo qytetar të këtij vendi është që në poltronat e tejzgjeruara me pushtet e ndikim të 61 superbashkive, të ulen njerëz të ndershëm, të zotë e që të punojnë për komunitetin që i votoi. Dhe jo që të nesërmen e marrjes së çelësave për katër vitet e ardhshme, të dëgjojnë vetëm telefonatat e shefit partiak që i caktoi në detyrë. Jo që të nesërmen e marrjes së detyrës, të mendojnë për mbledhjen e Këshillit të Territorit të bashkisë, ku do të japin lejet e reja të ndërtimit nga vijnë përqindëshat e pagesave abuzive për xhepat e tyre. Dhe ta “pleqërojnë” këtë shans edhe për çdo tender tjetër publik që do të organizojnë me paratë e bashkisë apo grante të pushtetit qendror. Ky ishte avazi i vjetër që sigurisht do të provohet të ripërtërihet nga jo pak kandidatë të vjetër e të rinj. Por ende ka shpresë për ndryshim nga ata kandidatë nesër fitues, që kanë ende ndërgjegje dhe me tërë mend e kanë të bëjnë diçka dhe për komunitetin e tyre. Atyre u shkon ky shkrim, kryebashkiakëve që mendojnë të punojnë me ndershmëri nesër. Më 22 qershor 2015, ju do të jeni vetëm përpara pasqyrës së ndërgjegjes suaj dhe telefonatës së kryetarit të partisë që ju kandidoi. Telefonatës/telefonatave sigurisht që do t’u përgjigjeni dhe mund t’u rrini edhe gatitu, por prapë ka vend në katër vitet e drejtimit tuaj, që të mendoni dhe të bëni diçka, për të lënë një emër të mirë në komunitet. Mund të provoni të vendosni raporte të mira e korrekte me këshillin bashkiak, pse ai është kyç për çdo punë të mirë që mund të bëni për bashkinë tuaj. Mund të provoni ta bëni edhe atë pronar të mendimeve dhe nismave tuaja, që përgjegjësia të mos ngecë vetëm tek ju, por promotorë dhe lobistë të një fondi shtesë për bashkinë, për shembull, të jenë edhe anëtarët e këshillit bashkiak. Çdo ditë do ju duhet të takoni njerëz dhe të përballeni me ankesat e tyre, si dhe me emergjenca që stafi joprofesionist që trashëgoni jua përplas me mjeshtëri përpara syve. Merruni me to, por mos harroni edhe për një moment përparësitë tuaja. Ju jeni të zhvilloni qytetet dhe fshatrat që keni marrë përgjegjësinë t’i drejtoni. Jo t’i bëni ato të mbijetojnë duke vegjetuar. Këtë e kanë bërë në të shkuarën mjaft kryetarë gjumëshumë bashkish. Mos e lejoni që kjo t’ju ndodhë edhe ju! Ju nuk duhet t’ju vënë punët para, por të përzgjidhni ju ato që mund të zgjidhen dhe të kuroni gradualisht plagët dhe mangësitë që duan kohë të shërohen. Zgjidhni për këtë betejë të përditshme bashkëpunëtorë të aftë dhe jo thjesht kushërinj, favoritë të bojarëve të partisë apo njerëz puthadoras. Nga punët e mbaruara do t’ju duan e respektojnë njerëzit dhe jo sa i sjellshëm, i thjeshtë dhe halleqarës do të tregoheni. Bëjeni vetë planin strategjik të zhvillimit të bashkisë suaj për katër vitet e ardhshme, gërmë pas gërme. Mos ia lini ndonjë donatori apo OJF-je. Duhet të jetë vula e kurajës dhe largpamësisë suaj në çdo veprim dhe nismë për komunitetin. Dhe zbatojeni atë plan tuajin me fanatizëm, pse ai ju çon më pranë njerëzve. Vetëm kështu do të mund të lini atë emër të mirë që ndoshta e mendoni me tërë seriozitetin tuaj sot, katër vite më vonë. Vetëm kështu edhe këto zgjedhje nuk do të përfundojnë në koshin e antagonizmit pa bukë të partive tona kryesore.


(d.d/GSH/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: