Deputetja demokrate, Ilda Dhori, në rubrikën Opinion në News24 tha se janë disa arsye që opozita ka thirrur protestën në 19 nëntor dhe s’ka të bëjë vetëm me pr/buxhetin. Në këtë kuadër, Dhori tha se në 19 nëntor do të protestohet edhe për drejtësinë, e cila po përdoret për të goditur politikisht elementë të opozitës, ku kulmi arriti me burgosjen e Ervin Salianjit. “Salianji po vuan një dënim sepse ka denoncuar lidhjet e krimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm”, tha Dhori.

“Do protestohet për varfërinë, për gjendjen e shëndetësisë, gjendjen e arsimit, për drejtësinë e cila përdoret dhe po përdoret për të goditur elementë të caktuar në mënyrë të padrejtë, për të shfryrë një lloj mllefi, hakmarrje të elementëve të Edi Ramës dhe elementëve të tjerë të mazhorancës. Ky është rasti i Ervin Salianjit, rasti më flagrant. Nuk njoh një qytetar, përfshirë edhe anëtarë të PS, deputetë, që të jenë pajtuar me mënyrën se si Salianjin shkoi pas hekurave, pse ka denoncuar si deputet lidhjet me krimin të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Ai është duke vuajtur dënimin në Itali. Të burgosesh se bën detyrën tënde se je duke denoncuar një trafikant unë këtë e shoh si kulmin e mënyrës së funksionimit të drejtësisë. Çështja e Salianjit ishte pika e fundit e ujit të derdhi gotën. Kishim bërë dy mbledhje dhe Salianji ka qenë prezent, kemi diskutuar forma të protestës dhe reagimit qytetar, ndër to edhe protesta e mosbindja civile, por pastaj burgosja e Salianjit pa të drejtë bëri që prania jonë në Parlament ishte e pakuptimtë”, tha ajo.

Sipas saj, opozita nuk ka thyer mosbindjen civile duke u rikthyer në Kuvend me nisjen e diskutimeve lidhur me buxhetin 2025, pasi nuk ra në kurthin e ngritur nga mazhoranca.

“Ne do të vijojmë aksionin opozitar, kishim detyrime ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nuk ramë në kurthin e mazhorancës”, tha Ilda Dhori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb