KOSOVE- Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e paketës së zgjerimit për vendet e Ballkanit Perndimor dhe Turqisë.

Këshilli Evropian ka konsideruar se edhe përkundër shumë përparimeve që ka shënuar Kosova në implementimin e kritereve, ajo nuk ka marrë një rekomandim pozitiv, sa i takon liberalizimit të vizave.

Këshilli Evropian ka vlerësuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) në tetor. Kjo marrëveshje me BE-në, sipas Këshillit Evropian, përbën marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Por, konkludimi, hyrja në fuqi dhe zbatimi i saj nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare përkitazi më çështjen e statusit, është thënë në raportin e KE-së, transmeton Indeksonline.

Sa i përket raportit që pritet të dalë së shpejti në lidhje me përparimin që ka shënuar Kosova në përmbushjen e kushteve në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Këshilli thekson rëndësinë e përmbushjes së të gjitha kushteve të përcaktuara për liberalizim të vizave dhe inkurajon Kosovës për të vazhduar me përpjekjet për të bërë progres në procesin e liberalizimit të vizave.

Qëllimi i Këshillit për të vazhduar diskutimet mbi një marrëveshje kornizë që ia mundëson Kosovës pjesëmarrjen në programet e Bashkimit Evropian nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare për statusin e saj.

Në pikën 52 të Raportit, Këshilli Evropian thotë se situata aktuale politike në Kosovë duhet të zgjidhet sa më shpejt. “Këshilli dënon përdorimin e dhunës për qëllime politike në veçanti dhe në pengimin e punës Kuvendit nga opozita”, thuhet në raport.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: