Nga: BUJAR LESKAJ*
Një Buxhet Shteti bëhet më i besueshëm për qytetarët, kur është transparent dhe mënyra e përgatitjes së tij është shumë e hapur,me konsultime të gjata e të thella me të gjithë veprimtarët e interesit (shoqërinë civile, komunitetin e biznesit, grupet e interesuara të qytetarëve, etj.). Sipas organizatës joqeveritare me qendër në Uashington, “Partneriteti Ndërkombëtar për Buxhetin”, (në anglisht “International Budget Partnership (IBP)), në vrojtimin e saj “Treguesi i Buxhetit të Hapur 2015”, në shtator 2015, të kryer në 102 vende të botes ku përfshihet dhe vendi ynë, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Ballkan për transparencën e treguar në përgatitjen dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit. Ndërkohë që sa më transparent dhe me pjesëmarrje të qytetarëve të jetë një buxhet shteti, aq më pranë tyre ai ndodhet dhe aq më shumë përgjegjësi ndjen qeveria në zbatimin e buxhetit.

Në manualin e FMN-së “Për Menaxhimin e Shpenzimeve Publike” saktësohet se “Çështjet kyçe në zbatimin e një buxheti publik janë transparenca, niveli i ndarjes së linjave të përgjegjësisë; sa koherent është informacioni mbi ekzekutimin e buxhetit; sa i saktë dhe besueshëm është ky informacion dhe a zbatohet buxheti në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë?”1. Përgjegjësia në zbatimin e Buxhetit të Shtetit, po sipas këtij manuali, realizohet e plotë, nëse “… (i) çdo veprim është transparent, (ii) çdo pjesëmarrës është përgjegjës; (iii) çdo veprim është i dokumentuar si duhet dhe i raportuar dhe (iv) çdo veprim duhet të jetë subjekt i auditimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm”2.
Për fat të keq, projektbuxheti për vitin 2016 nuk gëzoi një diskutim të gjerë me grupet e interesit. Qeveria nuk mundi të organizonte shkëmbime idesh të hapura dhe të plota si me komunitetin e biznesit apo me shoqërinë civile, por u mjaftua me disa takime e tryeza pune të ngushta me disa përfaqësues të komunitetit të biznesit. Diskutime pati të gjera (dhe kjo është një praktikë shumë e dobishme që duhet nxitur për më shumë dhe edhe me dëgjesa publike, me pjesëmarrës si dëgjues apo edhe sugjerues dhe të përfaqësuesve nga biznesi dhe nga shoqëria civile) vetëm në komisionet e Kuvendit. Si KLSH, konstatojmë me shqetësim se Buxheti i Shtetit 2016, nga mënyra se si u prezantua në publik dhe me grupet e interesit, mbeti deficitar në qenien e tij i besueshëm dhe plotësisht transparent.

Një tjetër institucion ndërkombëtar me reputacion, OECD (Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim), ndër parimet kryesore që rendit në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të Buxhetit, veçon: qartësinë e treguesve dhe objektivave të Buxhetit, integritetin e parashikimeve dhe planeve fiskale, lidhjen e ngushtë me përparësitë strategjike afatmesme të zhvillimit të vendit, efektivitetin, si dhe qëndrueshmërinë financiare afatgjatë.

Tani që projektbuxheti 2016 u miratua në Kuvend, e gjithë vëmendja duhet përqendruar në zbatimin e tij sipas kërkesave të Strategjisë së Shqipërisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, si dhe të manualeve të FMN-së dhe OECD. Në mënyrë që të kemi një zbatim sa më efektiv dhe efiçent të buxhetit, është parësore që të evitohen situatat jo të përgjegjshme të konstatuara në zbatimin e buxhetit faktik 2014. Kështu, së pari e gjykoj të rëndësishëm zbatimin e parimeve të anualitetit, transparencës dhe besueshmërisë se Buxhetit. Zbatimi i këtyre parimeve jo vetëm ndikon në mirëmenaxhimin e fondeve publike, por në të njëjtën kohë ndihmon të rritet besimi publik. Krijimi i një klime besimi shtet-tatimpagues ndihmon jo vetëm punën kundër informalitetit, por dhe në krijimin e një besimi të ndërsjellët dhe produktiv mes subjekteve tatimpagues institucionale dhe individuale nga njëra anë dhe institucioneve publike, të cilave u janë besuar fondet e tyre, nga ana tjetër.

Së dyti, duhet shtuar vëmendja ndaj parametrave të borxhit publik. Pa dashur të heq paralele me ndonjë vend në krizë borxhi, do të sugjeroja të nxirrnim mësime nga vende që janë gjendur përballë situatave të pamundësisë së menaxhimit të borxhit publik, siç është Greqia. Thellimi i borxhit publik dhe rritja e peshës së borxhit të jashtëm, e pashoqëruar me një rritje të investimeve publike, ul potencialin e shtetit për të shlyer huat. Situata të tilla janë të rrezikshme, pasi i shtyjnë qeveritë të gjejnë si zgjidhje shlyerjen e borxhit me borxh më të madh, duke e rënduar akoma më shumë këtë parametër. Buxheti 2016 synon uljen e borxhit, nëpërmjet mbajtjes së një defiçiti buxhetor vetëm 2.2 për qind të PBB. Si KLSH e përshëndesim këtë synim qeveritar, por konstatojmë se do të jetë shumë e vështirë të mbahet defiçiti në këtë nivel të ulët dhe duhet një bashkëpunim mes të gjitha institucioneve zbatuese të buxhetit, për të rritur vjeljen e të ardhurave dhe koordinuar kryerjen e shpenzimeve sipas planit.

Së treti, institucioni i KLSH ndjek vit pas viti nivelin e riskut financiar, ndaj të cilit janë ekspozuar financat publike në veçanti dhe ekonomia në tërësi. Për të pasur një gjykim sa më objektiv, vitet e fundit jemi mbështetur tek Treguesit e Cenueshmërisë mbi bazën e të cilëve Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbikëqyr dhe këshillon vendet anëtare dhe sidomos vendet me ekonomi në zhvillim, siç është Shqipëria. Treguesit (indikatorët) bazë që përdor ky institucion dhe ecuria e këtyre treguesve bazuar në vëzhgimin e KLSH rezultojnë si më poshtë:
(tabela referuese)

***
Duke e ritheksuar që nuk duam të heqim paralele me ekonominë greke nga analiza kemi gjetur që të gjithë këta tregues kanë pësuar përkeqësim në vitet 2010-2014, njësoj si ekonomia greke në vitet e parakrizës 2005-2009. Në këtë kontekst gjykojmë se nevojitet një angazhim dhe vëmendje e shtuar e krejt politikëbërësve dhe menaxherëve publikë në Shqipëri për të gjykuar mbi riskun shtesë që financat publike dhe ekonomia shqiptare merr në çdo vendim që ata marrin.

Gjithashtu, bazuar në tkurrjen e investimeve të huaja gjatë vitit 2014 si dhe duke pasur parasysh ngjarjet e vitit 2015, që është duke u mbyllur, konstatojmë se synimi për të mbledhur më shumë të ardhura tatimore mund ta bëjë vendin më pak tërheqës në raport me vendet e tjera të rajonit, duke dëmtuar jo vetëm sektorë të caktuar të ekonomisë (si p.sh sektorin e industrisë fason, të turizmit, etj.), por edhe vetë të hyrat publike.

Së katërti, në respekt të zbatimit të qëllimit të çdo ligji, gjykoj se mund të ndërtohen praktika dhe procedura që çojnë në një përdorim më efiçent të fondeve publike si dhe në të njëjtën kohë të ndërpriten praktika, të cilat i vlerësojmë si joefiçente, të tilla siç ishte rasti i përdorimit të Letër Kredive në zbatimin e Buxhetit të vitit 2014.

Kam besimin se mund të gjenden mënyra më efektive për garantimin e kontratave të nënshkruara nga entet publike apo mund të gjenden mënyrat për një kontraktim më efektiv me bankat. Ekzistojnë të gjitha rrethanat ekonomike që entet publike të kërkojnë nga bankat më shumë të drejta të një klienti preferencial, ashtu sikundër bëjnë dhe kompanitë private me qarkullim të madh të fondeve nëpër banka.
Së pesti, mendoj se është e domosdoshme rritja e përgjegjshmërisë e administratës publike lidhur me pasojat ekonomike të veprimeve të tyre. Fshehja mbas kompetencave që jep detyra publike nuk duhet të shërbejë më për të lënë pa autor dëmet ekonomike dhe financiare që i shkaktohen në mënyrë të pajustifikueshme shtetit. Vetëm kostot e vendimeve politike nuk mund të auditohen. Çdo veprim dhe vendim tjetër duhet t’i nënshtrohet kontrollit dhe përgjegjësisë. Krahas propozimit për përgatitjen dhe miratimin nga Kuvendi të Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, edhe në kushtet e sotme në mungesë të këtij ligji, si KLSH do të punojmë më fort që çdo specialist dhe menaxher, i cili shërben në administratën publike, të mbajë përgjegjësi materiale për kostot financiare dhe ekonomike që i shkakton Shtetit me vendimet e tij individuale apo dhe kolegjiale.

Kjo nismë e KLSH përputhet dhe me Strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, ku përcaktohet si mundësi “Ndryshimi i Ligjit Organik të Buxhetit, me qëllim përcaktimin e qartë të përgjegjësisë së secilit ministër ose drejtuesi të Institucionit Qendror Buxhetor gjatë të gjithë fazës së ciklit të menaxhimit të shpenzimeve publike” (faqe 31 e Strategjisë).

Së gjashti, dëmet në sektorin energjetik kapin vlera të konsiderueshme, jo vetëm për financat publike, por dhe për ekonominë shqiptare në tërësi. Prandaj duhet të shtohet vëmendja dhe përgjegjshmëria ndaj zbatimit me korrektësi të të gjitha kontratave që janë nënshkruar me kompanitë koncesionare. Gabimet që janë zbuluar për kontratat e nënshkruara tashmë duhet të shërbejnë për të qenë më të kujdesshëm në kontratat e ardhshme. Mbi një vit e dy muaj më parë, si KLSH, duke audituar veprimtarinë e “AlbPetrol” dhe të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), me Vendimin e auditimit të datës 29 shtator 2014 për “Albpetrol” dhe me vendimin e datës 6 maj 2015 për AKBN, kemi evidentuar problemet me zbatimin e kontratës me kompaninë “Bankers”. Kemi denoncuar një dëm ndaj Buxhetit të Shtetit në miliona euro, shumë herë më të madh se sa detyrimi fiskal i konstatuar nga organet tona tatimore në këtë fazë të parë, prej 57 milionë dollarësh. Shumica e dëmit të konstatuar nga KLSH-ja ka të bëjë me evazionin fiskal të realizuar nga kjo kompani. Përshëndesim dhe mbështesim veprimin e strukturave tatimore shqiptare, që kërkuan arkëtimin në Buxhetin e Shteti të 57 milionë dollarëve detyrim i papaguar, por theksojmë se ky është vetëm një pjesë e evazionit real dhe një pjesë e detyrimeve që kompania koncesionare i ka shtetit tonë. Të gjithë, duke filluar nga deputetët e Kuvendit (duam të veçojmë deputetë të pozitës dhe opozitës, por sidomos z. Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit, që ka qenë i qartë në deklarimet e tij), Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Avokatia e Shtetit, si dhe ne institucionet e pavarura, duhet të jemi në krah të tatimeve në veprimin e tyre për ta detyruar kompaninë koncesionare t’i kthejë shtetit tonë detyrimet fiskale të papaguara. Duke e ditur se koncesionari do ta hedhë shtetin tonë në gjyq ndërkombëtar, të gjitha forcat duhen përqendruar tani në përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë në arbitrazhin ndërkombëtar, pse e gjykojmë se kemi ne të drejtë, edhe pse kontrata koncesionare ishte “qepur” vetëm për të mbrojtur interesat e koncesionarit.

Së shtati, institucionet publike duhet të rrisin përgjegjshmërinë në raportimin me saktësi, në kohë reale dhe konform standardeve të kontabilitetit të të dhënave të tyre ekonomike dhe financiare. Në kushtet kur bëhet një punë intensive për të përmirësuar cilësinë e raportimit për biznesin privat, është e mundur dhe e nevojshme që paralelisht të kërkohet e njëjta gjë dhe për raportimin e institucioneve publike. Përveçse do të rriste transparencën dhe përgjegjshmërinë publike, kjo do të përfaqësonte një demonstrim nxitës për krijimin e një kulture të raportimit të saktë dhe në kohë reale për të gjitha subjektet ekonomike, publike apo private qofshin.

Së teti, duhet të nënvizoj se armiku më i madh i ekonomisë dhe shtetit është korrupsioni i nivelit të lartë dhe jo informaliteti. Mbledhja e të ardhurave publike dhe menaxhimi i tyre janë një sfidë e vazhdueshme e administratës publike në një ekonomi tregu. Në funksion të qëllimit të përbashkët për mirëmenaxhimin e fondeve publike, do të vazhdojmë të kërkojmë që të shqyrtohen me më përgjegjshmëri dhe vëmendje rekomandimet e KLSH-së, në drejtim të përmirësimeve të rëndësishme ligjore, shpërblimit të dëmit, largimit nga puna të nëpunësve të lartë dhe të mesëm të gjetur në shkelje dhe korrupsion.
Së fundmi, vitet 2014 dhe 2015 janë dy vitet e para të zbatimit të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”. Kjo strategji bart një rëndësi të dyfishtë, pasi jo vetëm përcakton rrugën për rivendosjen e financave publike në trajektoren e qëndrueshmërisë afatgjatë, duke krijuar kështu parakushtet për rritjen ekonomike, por përbën edhe një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian. Vizioni i saj është garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efiçiencën në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike.

Vitet 2014-2015 njohën arritje në zbatimin e strategjisë, por edhe sfida ende të paplotësuara. Prandaj ne të gjithëve, Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve të pavarura, na del për detyrë të punojmë më me angazhim dhe seriozitet për zbatimin e plotë të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, ashtu si na e kërkojnë edhe detyrat dhe rekomandimet e Progres-Raportit 2015 të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: