Bylisi ka nisur planin për ndeshjen e radhës me Skënderbeu në Korçë, që do të zhvillohet të dielën e 15 dhjetorit. Mallakastriotët në këtë duel do të shkojnë ndryshe nga ai i fillim javës me të kuqtë në Ballsh.
Trajneri Nevil Dede do të shkojë me skuadër të plotë në transfertën korçare, pasi rikthehen Abazaj dhe Sulovari. Nga sfida e fundit e kampionatit, skuadra doli pa probleme të natyrës së pezullimeve apo dëmtimeve dhe tashmë të gjithë forcat janë të përqendruara te dueli me bardhekuqtë, edhe për faktin se është një duel direkt mes ekipeve që kërkojnë t’i shpëtojmë rënies. Javën që shkoi, ballshiotët bënë rokadë në tabelën e renditjes, teksa lanë korçarët në fund dhe vetë janë në vend të 9-të, me 2 pikë më shumë se ekipi i Gjokës.
Në dy sfidat e fundit të vitit 2024, mallakastriotët do të kërkojnë që të marrin pikët maksimale. Rivaliteti është ashpëruar, por edhe situata në renditje, nga vendi i 5-të e deri në të 10-tin është bërë një ekuacion më vete dhe llogaritë ndryshojnë javë pas jave për shkak edhe të distancës së afërt me pikë mes ekipeve.
REZERVAT NË “PROVË” – Bylisi ka zgjedhur një taktikë ndryshe pas ndeshjeve, duke qenë se mallakastriotët kanë ekip U-21 dhe “B”. Në Ballsh janë aktivizuar të gjithë lojtarët që qëndruan në stol me të kuqtë, por edhe ata që luajtën pak. Në sfidën që u zhvillua dje në Ballsh mes Bylisit B dhe Labërisë, kanë marrë minuta Përndreca, Igor, Kasaj, Treni dhe Mahmuti, por edhe të pezulluarit nga kartonët, Kasaj dhe Abazaj. Madje kanë spikatur edhe me golat e tyre braziliani Igor që ka realizuar dopietë dhe Treni një gol.