ELBASAN– Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kombëtares U-21 me atë të Islandës më 10 tetor në “Elbasan Arena”, dolën sulmuesi Valdrin Mustafa dhe portieri Gentian Selmani. Të dy futbollistët besojnë tek fitorja në këtë përballje dhe tek një kualifikim i mundshëm, ndonëse shpresojnë edhe tek ardhja e tifozëve në stadium për t’i ndjekur nga afër.

“Kemi një ekip shumë të mirë me lojtarë që luajnë si në Europë edhe në Shqipëri. Gjatë këtyre ditëve jemi stërvitur maksimalisht dhe jemi të përqendruar për përballjen me Islandën dhe do të japim maksimumin ndaj tyre. Shanset për kualifikim i kemi në grup, sepse Sllovakia u mund nga Islanda dhe nëse ne fitojmë me Islandën bëjmë një hap përpara. Sigurisht Spanja ka skuadrën më të mirë dhe pas saj Shqipëria me Sllovakinë. Ne mendojmë vetëm për fitoren në ndeshjen e radhës dhe shpresoj tek një mbështetje sa më e madhe e tifozëve në shkallët e stadiumit. Sa i përket Kombëtares A, të gjithë lojtarët që luajnë me Shpresat e kanë ëndërr për të shkuar atje një ditë”-tha Mustafa.
IMG_7335
Ndërkohë portieri Gentian Selmani tha se me Islandën është një ndeshje shumë e fortë dhe ekipi do japë maksimumin.

“Kemi mungesa të rëndësishme, por ne jemi një grup dhe ai është më i rëndësishëm sesa një apo dy individë. Ne nuk kemi as Mesin as Ronaldon, por jemi të gjithë të bashkuar për të dhënë maksimumin për Kombëtaren. Me Islandën është një ndeshje shumë e fortë dhe jemi të përgatitur për ta kaluar me sukses. Luajmë për tri pikë, por duam të bëjmë edhe një paraqitje të mirë. Nëse barazojmë duke luajtur mirë, nuk do të jetë një problem. Dua t’u bëj një thirrje edhe tifozëve që të vijnë të na ndjekin këtë ndeshje, sepse do të japim maksimumin edhe për ta. Sa i përket kundërshtarit, forca e tyre më e madhe janë goditjet standarde, kjo edhe për shkak të shtatlartësisë që kanë”- tha Selmani.
IMG_7337
MUNGESA
Ditën e djeshme kapiteni i Kombëtares, Keidi Bare, është parë të mos bëjë stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, por ka qëndruar i vetëm pas një dëmtimi muskular në kofshë. Gjasat janë që lojtari i Atletikos të jetë në fushë me Islandën, pasi nuk flitet për ndonjë dëmtim të rëndë. Bare u dëmtua në miqësoren me Tiranën para dy ditësh, por shpresohet që të mos ketë asnjë problem me islandezët, sepse në të kundërt do të ishte një “dhimbje koke” për teknikun Alban Bushi. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit nuk shfaqi shqetësime.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: