Pas një viti, falë ndërmjetësimit të stafit të emisionit “Me zemër të hapur” në News24 një baba 35 vjeç është lidhur me vajzën e tij 5-vjeçare. Momenti ka qenë shumë prekës, teksa Edmondi nga Durrësi, pasi ka ardhur për herë të dytë në studion e emisionit, me miratimin e ish-bashkëshortes që jeton në Greqi bashkë me vajzën, ka dëgjuar zërin e të bijës duke mos i mbajtur lotët e duke sjellë emocione ‘live’ në emision.

Edmondi është rikthyer sot në studio pasi një ditë më parë rrëfeu se prej një viti nuk ka asnjë kontakt me vajzën e tij. I riu rrëfeu se pas 8 vitesh martesë erdhi divorci dhe se shpesh herë nëna e tij ka ndikuar në marrëdhënien e tij dhe të bashkëshortes. Por sipas tij nuk ka qenë ky shkaku i ndarje.

Në vitin 2017, 35-vjeçari u dënua 4 muaj me burg. Kjo ka qenë periudha më e vështirë për të. Gjatë qëndrimit në burg Edmondi rrëfeu se filloi të dyshonte se bashkëshortja kishte dikë tjetër. Ndaj ai i tha se kur te dilte nga burgu ajo duhet te largohej. Por bashkëshortja nuk priti të përballej, sipas 35-vjeçarit ajo iku dhe fëmijën e la tek prindërit e saj.

35-vjeçari pasi doli nga burgu e takonte vajzën e tij normalisht. Çifti iu drejtua edhe gjykatës dhe bëri divorcin. Gruaja mori vajzën në kujdestari, dhe u largua jashtë Shqipërisë. 35-vjeçari tha se nuk i ka paguar pensionin ushqimor pasi ka qenë në vështirësi ekonomike. Por nga ana tjetër ai kërkoi të takojë fëmijën e tij të cilën nuk e sheh prej datës 30 qershor të 2018. Në një lidhje telefonike ish-vjehrri i tij u shpreh se vajza e tij i kish dhënë fund martesës pasi Edmondi sipas tij nuk ishte i aftë të mbante familjen. Në anën tjetër ish-bashkëshortja ka mbyllur çdo komunikim me të. Pas insistimit të emisionit “Me Zemër të Hapur” ajo pranoi që sot të përballet me Edmondin në studio nëpërmjet lidhjes telefonike ku tregoi një tjetër version të ngjarjeve.

Ajo tha se pas zgjidhjes së martesës, Edmondi nuk është interesuar për vajzën dhe se vetë vajza nuk donte të fliste me të, pasi vazhdimisht shante e fyente. Ajo tregoi se ishte dhunuar nga ish-bashkëshorti por se e kishte falur dhe se i kishte shkuar vazhdimisht në burg duke i shërbyer dhe me ushqime e ndërresa.

“Qëkur kam bërë zgjidhjen e martesës Leonardi nuk është interesuar më për vajzën. Deri para se të bëhej divorci është takuar rregullisht. Pasi mora mbiemrin e babait nuk është interesuar më. Unë nuk e kam ndaluar për vajzën. Por ai nuk është interesuar. I kam thënë që çfarëdo që ndodh me ne, vajza është e të dyve. Nëse ishte i interesuar për vajzën të kishte marrë njëherë në telefon tek prindërit e mi. Nuk ka marrë asnjëherë”, tha Elgita.

Ndërkohë Edmondi tha se nuk kishte asnjë kontakt ku të komunikonte.
“Nuk kisha kontakte me çfarë të lidhesha. Ndërronte numrat. Unë nuk mund të flisja me prindërit e ish-gruas sepse kisha konflikt, zihesha me ta”, tha ai.

Elgita rrëfeu se ishte dhunuar nga Edmondi një ditë para se të shkonte në burg.
“Një ditë para se të shkonte në burg, jam rrahur barbarisht nga ai person. Pse, sepse ai prishi të gjitha paratë që kishim hequr mënjanë për diçka. Ishim në një dasmë, kemi ikur nga dasma dhe më ka rrahur në oborr, më ka marrë zvarrë. Më ka ndihmuar motra e tij dhe vëllai i tij më ka futur në shtëpi. Dhe prapë në burg i kam çuar gjëra, i kam shkuar. Nuk kam bërë asnjëherë denoncim në polici. Kam ndenjur 8 vjet me atë por mund të kem ikur mbi 10 herë. Kam shkuar tek prindërit e mi, ai vinte dhe më lutej me lot në sy. E kam falur”, tregoi ajo.

Pas kërkesës së moderatores Evis Ahmeti që Edmondi të fliste me të bijën, nëna e saj pranoi dhe 35-vjeçari arriti të komunikonte. Ndërkohë që nga të dyja palët u premtua se do të mbaheshin lidhjet dhe se Edmondi do të paguante pagesën e përmuajshme për vajzën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb