Një klimë e trazuar ekonomike ndikuar nga pandemia COVID-19 gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëri të stepura për vitin e ardhshëm tatimor. Ky është rezultati i një anketimi të sipërmarrjeve të cilat janë anëtare të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri. Në anketimin mbi klimën e biznesit të realizuar me 42 kompani, 57% e tyre thonë se e mbyllën vitin që lamë pas me rënie të shitjeve, 29% të pandryshuar dhe vetëm 14% me rritje.
Po në të njëjtën linjë 57% e bizneseve nuk presin të ndryshojnë numrin e punonjësve të tyre, 29% do i ulin dhe 14% planifikojnë t’i rrisin. Në lidhje me paketat e ndihmës që qeveria i dha bizneseve të cilat u prekën nga pandemia 38% e të anketuarve thanë se këto paketa nuk ishin aspak ndihmë, 40% pohuan se ishin një farë ndihme dhe vetëm 22% deklaruan se ishin të vlefshme ose shumë të vlefshme.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë negative të aktivitetit të kompanive janë rënia e fuqisë blerëse dhe e porosive gjatë periudhës së pandemisë. Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara janë shprehur se nëse vazhdon kjo situatë mund të mbijetojnë deri në një vit ndërsa 45% e bizneseve presin që efektet negative ne kompanitë e tyre të vazhdojnë për rreth 12 muaj.
Investitorët shprehen skeptikë në lidhje me rikthimin e shpejt në normalitet. Gjatë prezantimit online të gjetjeve Ambasadori Peter Zingraf tha se Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë. Por ai solli në vëmendje faktin, që përgjegjëse për këto pritshmëri të mbytura nuk është vetëm pandemia.