Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim emocionues në homazhet në nder të Haxhi Thaçit, babait të Hashim Thaçit që ndërroi jetë dy ditë më parë.

Në ceremoni ishte e pranishme dhe foli Linda Rama. Ishin gjithashtu të pranishëm ish Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Në ceremoni mbajtën fjalë edhe Kryetari i Komunës Skënderaj, Fadil Nura, Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, Bedri Hamza nga PDK dhe djali i Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.

Ajo ka thënë se askujt, përveç Serbisë, nuk i bënë nder fakti që udhëheqësit e UÇK-së janë në Hagë duke u shprehur se në mungesë të Hashimit, të cilit nuk iu lejua ardhja në ceremoni nga Gjykata Speciale, përfaqësues nga e gjithë Shqipëria janë të pranishëm.

“Shumë i nderuar e shumë i dashur Hashim që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd, sepse padrejtësitë politike e kombëtare të burgosjes tënde dhe luftëtarëve të tjerë, sot iu shtua edhe një padrejtësi morale e njerëzore.

Të dashur familjarë të atdhetarit Haxhi Thaçit,

Ky burrë për të cilën morëm të gjithë rrugën për në Skënderaj, është shembull se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet atdhetar i madh. Përkushtimi i përditshëm i një burri në dukje i zakonshëm, frymëzojnë. Kjo është e mundur kur urtësia, ndjeshmëria, lidhjet e forta me njerëzit, i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndryshohen, shumëfishojnë sakrificat.

Faleminderit burrit e patriotit që na dha Hashim Thaçin, udhëheqësin politik të UÇK-së, lufta e të cilës me mbështetjen e popullit, e të Amerikës dhe NATO-s e ka bërë Kosovën shtet të lirë. Nuk i bënë nder askujt përveç armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UÇK-së janë sot në shtatë penxheret në Hagë. Si viktima të një drejtësie që po bëhet iluzion, e po shkallmon vlerat, parimet e standardet e drejtësisë. I vuri vulën me ndalimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet. Baca Haxhi në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim nga Shqipëria e nga gjithë shqiptaria. Të kam sjell edhe një dorë dheu nga Shqipëria. Lamtumirë atit të atit të Pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.

Fjala e plotë e Spiropalit

“Shumë i dashur Hashim, që na mungon në këtë përcjellje të babait tënd fizikisht;

Sepse padrejtësisë politike e kombëtare të burgosjes tënde e luftëtarëve të tjerë, sot iu shtua edhe një padrejtësi njerëzore e morale;

Të dashur familjarë e të afërm të atdhetarit Haxhi Thaçi;

Të dashur motra e vëllëzër,

Haxhi Thaçi, ky burrë i shtrirë para nesh dhe për të cilin morëm të gjithë rrugën për këtu në Skënderaj, është shembulli sesi një njeri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh.

Kjo është e mundur kur urtësia, njerëzillëku, ndershmëria, lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm, shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin dhe sakrificat për atdheun, për kombin.

Por Haxhi Thaçi ishte më shumë se kaq.

Përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaku që u udhëhoq gjithë jetën nga fryma e së drejtës dhe frymëzimi prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandant e luftëtar, një udhëheqës vizionar, Kryeministrin e parë e pastaj edhe Presidentin e Kosovës së pavarur.

Prandaj Haxhi Thaçi ishte, jeton dhe do të jetojë në birin dhe shembëlltyrën e vet, Hashim Thaçin, dhe në pasardhësit e tij.

Faleminderit, burrit dhe patriotit Haxhi Thaçi, që na dhe Hashim Haxhi Thaçin, udhëheqësin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës, me mbështetjen e popullit të vet, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, e ka bërë Kosovën prej 26 vjetësh një shtet të lirë dhe prej 17 vjetësh një shtet të pavarur.

Nuk i bën nder askujt, përveçse armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të UCK-së janë sot në “shtatë penxheret” e Hagës.

Si viktima të një drejtësie që po bëhet përditë e më tepër një iluzion dhe përditë e më tepër po shkallmon vlerat, parimet dhe standartet ndërkombëtare të drejtësisë dhe injoron e margjinalizon institucionet sovrane të shtetit të lirë e sovran të Kosovës.

Dhe që amoralitetit dhe fallsitetit të vet i vuri vulën me ndalimin e të burgosurit padrejtësisht dhe kundraligjërisht, Hashim Thaçit, për t’i dhënë lamtumirën babait të vet.

Baca Haxhi, në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim ne të gjithë, nga Shqipëria dhe gjithë shqiptaria.

Të qoftë i lehtë dheu i Burojës, dheu i Skënderajt, dheu i Kosovës!

Të kam sjellë edhe një dorë nga dheu i Shqipërisë!

Lamtumirë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb