KOSOVE

Kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi i cili është personi që ka zbuluar skandalin e përdhunimit të një vajze në Drenas nga mësuesi i saj dhe polici ka thënë se familja e 16-vjeçares së dhunuar jeton në kushte të vështira ekonomike.


Kajtazi ka thënë se për shkak se familja e vajzës ishte parë si “e dobët” në shoqërinë e atij vendi, ajo është bërë objekt i përdhunuesve.


“Të dobëtin e shkelin pa çarë kokën se mund të ketë hakmarrje”- ka thënë ai.


Gazetari ka thënë se rrëfimi i vajzës ka qenë i sinqertë, pasi ajo edhe ka treguar se synimi i saj ishte të përfundojë në martesë.

“Pasi vajza kishte përfunduar në marrëdhënie seksuale, ajo tregoi se ka insistuar të martohet pasi u shpreh se “kush më merr mua, pasi merret vesh kjo punë që kam qenë në lidhje me arsimtarin”. Problemet pikërisht fillojnë kur arsimtari tërhiqet nga lidhja me vajzën”.

Kajtazi tregon se fillimi i problemeve për vajzën nisin kur ajo vendos ta raportojë në polici raportin me mësuesin.

“Problemi më i madh filloi në polici. Profesori kishte probleme me lidhjen pasi kjo ishte e mitur, edhe nëse do të donte të martohej. Kur shkon në polici has te polici Vesel Veseli që është edhe familjar i saj. Por rasti është i ndërlikuar pasi edhe arsimtari ishte fqinji i saj dhe jetonte shumë afër saj në fshat”, thotë ndër të tjera Vehbi Kajtazi për Dukagjinin.

(BalkanWeb)