Anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, deklaroi se Këshilli i Europës nuk do ia hapë negociatat Shqipërisë, pasi nuk i ka përmbushur detyrat e saj. Sipas tij, për këtë përgjegjësi ka vetëm qeveria Rama.

“Shanset që kjo të ndodhë, që Këshilli i Europës të hapë negociatat janë të pakta. Aritmetika është e thjeshtë detyrat ishin të shkruara por asnjë nga çështjet e ngritura nga Këshilli i Europës nuk është plotësuar. Ata do marrin në konsideratë progresin e Shqipërisë. Parlamenti është jo funksional. Përgjegjësinë kryesore këtu e ka mazhoranca dhe vetëm mazhoranca. Mund të tentohet t’i kalohet faji opozitës, por askush nuk mund t’i thotë opozitës pse nuk ke bërë sa duhet për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Fakt është që Shqipëria është në këtë gjendje që është, dhe nuk mendoj se dikush tjetër ka përgjegjësi përveç Edi Ramës”, tha Bozdo, duke shtuar se Shqipëria “ka ngelur sërish në klasë”.

Sa për aksionin e opozitës, protestën e radhës dhe mundësinë e një dialogu mes palëve, Bozdo tha se e vetmja gjë që di me siguri në këto momente, është se opozita nuk do lejojë që më 30 qershor të ketë zgjedhje.

“Çdo protestë e opozitës ka qënë ndryshe, por masiviteti ka qënë konstant. Kjo tregon se mbështetja që ne kemi është e madhe. Mazhoranca duhet të reflektojë realisht për kërkesat e opozitës. 6 letrat që dërgon Rama tregojnë se vetëm seriozisht kjo mazhorancë nuk e ka. Minimalisht nuk e shtrijnë dorën me seriozitet. Ne duam zgjidhje për situatën, por kjo është një krizë e cila me aventurizmin e kryeministrit tenton të kthehet në të pazgjidhshme. Fjala shpresë nuk portretizon atë që ndodh. Nëse mazhoranca do shkojë deri në fund të kësaj aventure nuk ka pikëpyetje për opozitën. Sa për atë që do bëjmë më 30 qershor, të gjitha opsionet janë të hapura: Zgjedhje në datën 30 qershor nuk ka për të patur dhe nuk ka për të patur. Kjo është pak por e sigurt. Të kuptojë se me vendimet e njëanshme Rama vetëm po e thellon krizën. Është aventurizëm të mendosh që vendi do shkojë në zgjedhje”, shtoi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb