Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, të cilat qarkulluan dje në media, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Hetimi nisi pasi në media u publikuan të dhëna e E-Albania për qytetarët.

Kreu i SPAK, Arben Kraja theksoi se po bëhen verifikime. “Vjedhja e të dhënave personale nuk është kompetencë e SPAK, por nisur nga rëndësia e problemit dhe faza e zgjedhjeve ku ndodhemi e kemi vlerësuar”- shprehet Kraja.

Ditën e djeshme reagoi dhe Partia Demokratike, duke e cilësuar çështjen si skandal, ndërsa bëri me dije se do i drejtohej SPAK me një padi, duke akuzuar kështu PS-në. Në database, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës, ku tregohet numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj.

DEKLARATA E PD
“Përdorimi i të dhënave personale të portalit E-Albania, nga Rama dhe PS është një shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve. Në mënyrë të paprecedentë, në selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhëna personale të qytetarëve, të marra nga portali E-Albania. Është arritur të sigurohet databaze. Në të ka të dhëna konfidenciale të plot 910 mijë votuesve të Tiranës, nga 19 deri në 99 vjeç.

Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e ID, numri i qendrës së votimit, vendi i punës, dhe përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës. Përdoren të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit. Përdorimi i databazës nga Rama dhe PS përbën vepër penale. PD po përgatit padi, që do dorëzohet në SPAK. PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje, shqiptarët duan të ndihen të sigurt. Rama nuk kursen as të vjedhë e të përdorë të dhënat e qytetarëve. Më 25 prill, shqiptarët do kenë qeveri që kujdeset për ta”, deklaroi dje Enkelejd Alibeaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: