Sipas një studimi të ri, përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të çojë në depresion.

Në një shkrim të revistës “Computers in Human Behavior”, hulumtues nga Qendra për Kërkime në Media, Teknologji dhe Shëndet, në universitetin e Pitsburgut thonë se “përdorimi i platformave të shumta është i lidhur më ngushtë me depresionin dhe ankthin në mesin e të rinjve”, shkruan VOA.

Në mënyrë të veçantë, studiuesit zbuluan se njerëzit që përdorin nga 7 deri 11 platforma të mediave sociale kanë tre herë më shumë gjasa për t’u prekur nga depresioni dhe ankthi se sa ata që përdorin nga zero në dy platforma.

Këto rezultate ishin të njëjta edhe kur përkthehen në orët totale që përdoruesit kalojnë në mediat sociale.

“Kjo lidhje është mjaft e fortë saqë mjekët mund ta marrin në konsideratë duke i këshilluar pacientët e tyre me depresion dhe ankth se ky përdorim mund të jetë e lidhur me simptomat e tyre,” thoti autori kryesor dhe mjeku Brian A. Primack. “Ndërsa ne nuk mund të themi nga ky studim nëse njerëzit me depresion dhe ankth kërkojnë përdorimin e platformave të shumëfishta apo në se përdorimi i platformave të shumta mund të çojë në depresion dhe ankth. Por në secilin rast rezultatet janë potencialisht të vlefshme.”

Për këtë studim, hulumtuesit shqyrtuan rastet e 1,787 të rriturve amerikanë mes moshës 19 dhe 32 vjeçare, për të përcaktuar lidhjen mes përdorimit të mediave sociale dhe depresionit. Sondazhi u shtri në 11 faqe të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, YouTube, Twitter, Snapchat, Pinterest, LinkedIn dhe të tjerë.

Ndërsa ata që përdorin mes 7 deri 11 prej këtyre platformave kanë tri-herë më shumë shanse për t’u prekur nga depresioni, Primack thotë se janë të nevojshme më shumë studime.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb