Pretendimi i parë se perëndimi është drejt një lufte me Rusinë, është bërë nga ish-zëvendëskomandanti i NATO-s, ish-gjenerali britanik Sir Alexander Richard Shirreff.

Në një libër të botuar të mërkurën, “2017 War with Russia”, Shirreff argumenton se ngjarjet në Krime kanë shkatërruar marrëveshjet e pas Luftës së Ftohtë dhe kanë krijuar terrenin për një konflikt, që do të nisë vitin e ardhshëm, shkruan Ewen MacAskill në gazetën prestigjioze britanike “The Guardian”.

Në bazë të një skenari të frikshëm, ai parashikon se Rusia, në mënyrë që t’i shpëtojë asaj që ajo e konsideron si një rrethim nga NATO, do të pushtojë territore në Ukrainën Lindore, do të hapë një korridor tokësor drejt Krimesë dhe do të pushtojë shtete Baltike.

Shirreff, i cili ka qenë zëvendëskomandanti suprem në Europë nga 2011 më 2014 dhe që përpara kësaj ka shërbyer në Irlandën e Veriut, në Irak dhe bë Ballkan, ka vënë në rrezik reputacionin e tij duke bërë një parashikim kaq të guximshëm. Por ai pretendon se tregimi i tij është i modeluar te përvoja e lojës së luftës së NATO-s për konfliktet e ardhshme.

Skenari i tij është specifik, ai përmend Letoninë si vendin e parë Baltik që do të pushtohet, në majin e vitit të ardhshëm. Këto specifikime rrezikojnë që ai të bëhet qesharak.

Gjatë prezantimit të librit në London’s Royal United Services Institute, ai e mbrojti këtë skenar, por tha se NATO mund ta shmangë në rast se ndërmerr hapat e nevojshëm, duke rreshtuar një numër të mjaftueshëm forcash në shtetet baltike. NATO po përgatitet ta bëjë një lëvizje të tillë, në një mbledhje që do të zhvillohet në Varshavë në korrik.

I përballur me skepticizmin e gazetarëve gjatë prezantimit të librit – shtetet Baltike, ndryshe nga Ukraina, janë anëtare të NATO-s dhe aksioni rus ndaj secilit prej tyre, teorikisht do të shkaktonte një përgjigje – Shirreff tha se historia është plot me vendime irracionale të udhëheqësve.

Ai tha se Putin mund të pushtojë shtetet baltike dhe më pas të kërcënojë me një luftë bërthamore në rast se NATO kërcënon që të ndërhyjë.

Paralajmërimi i Shirreff lidhur me rrezikun që përbën Rusia është jehonë e asaj që parapriu admirali amerikan James Stavridis, ish-komandant suprem i aleancës në Evropë, i cili shkruante: “Nën Presidentin Putin, Rusia ka ndërmarrë një kurs të rrezikshëm, i cili, në rast se lejohet që të vazhdojë, mund të çojë në mënyrë të pashmangshme drejt një përplasjeje me NATO-n. Dhe kjo do të thoshte një luftë që mund të bëhet lehtësisht bërthamore”.

Shirreff këmbëngul se mbajtja e deterrentit bërthamor është thelbësor. “Mos kini asnjë iluzion, sepse përdorimi i armëve bërthamore parashikohet në strategjinë ushtarake të Moskës” – shkruan ai.

Ai e përshkruan Rusinë si kundërshtarin më të rrezikshëm aktual të perëndimit dhe thotë se kursi i Putinit mund të ndalet vetëm nëse perëndimi zgjohet përballë mundësisë reale të luftës dhe ndërmerr veprime urgjente.

Ai foli edhe për Britaninë, për atë që ai e quajti si një cungim të aftësive të saj konvencionale ushtarake, në rast se skena ndërkombëtare do të mbetet beninje. Ai tha se NATO ka gjithnjë e më shumë hendeqe lidhur me njohuritë, aftësitë dhe fuqinë ushtarake për të qenë në një nivel me atë që ai e quan si përmirësimin më të madh që ka njohur ndonjëherë aftësia konvencionale e Rusisë.

Ai kritikoi David Cameron dhe Philip Hammond, i cili ishte sekretar i mbrojtjes përpara se të bëhej sekretar i jashtëm, lidhur me shkurtimet në ushtri. Duke folur për Cameronin, ai shkruan se kryeministri britanik e ka “bërë veten gjithnjë e më të parëndësishëm në arenën ndërkombëtare”.

Shirreff rrëfen një përplasje të 2014-s me Hammond, asokohe sekretar i mbrojtjes, pasi ai shkruajti një artikull të Sunday Times, duke thënë se shkurtimet ishin një lojë e madhe bixhozi. “Sekretari i mbrojtjes ishte aq i zemëruar kur u pyet në publik, saqë unë u thërrita nga gjenerali Sir Peter Wall, kreu i ushtrisë, që më tha se sekretari i mbrojtjes kërkonte një ‘aksion formal’ ndaj meje”.

“Sidoqoftë, një aksion formal do të përfshinte një gjykatë ushtarake dhe fatmirësisht për reputacionin e mëpasshëm politik – ai gjithashtu duket se nuk e vlerësoi faktin që unë i raportova NATO-s dhe jo atij – këshilla e mençur mbizotëroi”.

I pyetur gjatë prezantimit të librit për incidentin, ai tha “Mendoj se është detyrë e ushtarakëve të lartë të angazhuar me politikanët që të mos mendojnë si politikanët, të mos ua bëjnë jetën e lehtë politikanëve, por të marrin parasysh pasojat ushtarake të vendimeve politike. Dhe kam përshtypje se është diçka, e cila ka ardhur duke rënë gjatë viteve të fundit”.

Një pikë tjetër e prekur i referohet dështimit të krerëve të ushtrisë britanike për ta kundërshtuar Tony Blair, lidhur me pushtimin e Irakut. Hetimi Chilcot për Irakun pritet të kritikojë komandantët e lartë britanikë për këtë dështim.

I pyetur lidhur me pasojat për sigurinë britanike në rast të një largimi nga Bashkimi Evropian, Shirreff tha se një gjë e tillë do ta dobësonte më shumë Bashkimin Evropian dhe se një BE më e dobët do ta dobësonte edhe Britaninë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: