Perëndimi do që përfundimisht të zgjidhë çështjen e Ballkanit. Për qetësimin e këtij rajoni, me sa duket po merret personalisht kancelarja gjermane Angela Merkel, me mbështetjen e fuqishme të Amerikës dhe Britanisë. Këto tri vende duan që t’i dobësojnë serbët, përfshirë edhe ata në Republikën Srpska, në mënyrë që të mos shfaqin më asnjë kërcënim për tjerët. Fitues nga plani i madh i Perëndimit janë shqiptarët, që sipas një analize të “Blic”, mund të fitojnë edhe një shtet të tretë – Republikën në shtetin federal të Maqedonisë.

Telashet e shumta me të cilat është përballur rajoni i Ballkanit që shumë vite, do të largohen së shpejti.

Kjo do të ndodhë falë një ofensive të fuqishme të Perëndimit, e posaçërisht Gjermanisë, Britanisë dhe Amerikës.

Rezultati që do të shihet në fund, do të jetë kështu: të gjitha vendet do të jenë pjesë e NATO-s e BE-së, serbët do të shndërrohen në një komb paqësor, Republika Srpska do të zhbëhet, ndërsa shqiptarët do të përfitojnë më së shumti, duke shijuar kënaqësitë e jetesës në të gjitha shtetet ku jetojnë.

Ky është konkludimi që ka nxjerr një analizë e gazetës “Blic” nga Beogradi, shkruan “Klan Kosova”.

Ivan Vejvoda, nga “Marshal Fund” ka thënë se kjo ofensivë bëhet për ta qetësuar njëherë e përgjithmonë Ballkanin Perëndimor.

Zhvillimet më të rëndësishme të kësaj nisme janë pranë, pasi së pari është vizita e kancerales Angela Merkel në Beograd, Tiranë e Sarajevë, më 8 e 9 korrik, ndërsa e dyta përvjetori i 20-të i masakrës së Srebrenicës.

Sipas Blic, gjermanja do të kërkojë nga Serbia që në fund të bisedimeve me Prishtinës të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, të distancohet nga presidenti i Republika Srpskës, Milorad Dodik dhe të mos e pengojë forcimin e institucioneve qendrore të Bosnjë e Hercegovinës – me fjalë tjera, dobësimin total të Republika Srpskës.

Në Tiranë, Merkel do të kërkojë nga Edi Rama të qetësojë radikalizmin nacional dhe islamik të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë, ndërsa në Sarajevë do të tërheq vërejtjen për tensionet ndëretnike dhe do të thërrasë që korrupsioni i cili nuk po zhbëhet kurrë, të zëvendësohet me punë serioze drejt integrimit në BE. Blic shkruan se gjermanët do të sponsorizojnë dhe përkrahin ndryshime kushtetuese që kanë për qëllim dobësimin e Srpskas.

Nisma e Merkel, vendi i së cilës mori përsipër çështjen e Ballkanit, që më 2012, bëhet me mbështetje të fuqishme të SHBA-së. Britania i bashkohet valles, duke sponsorizuar një rezolutë për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit, që pritet të miratohet në 20 vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë, pas Luftës II Botërore.

Jelena Guskova nga Akademia Ruse e Shkencave ka thënë se me këto veprime do të pësojnë Dodik dhe Republika Srpska, që kanë mbetur foletë e fundit të nacionalizmit serb në Ballkan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb