Nga: VASIL KURETA*

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjithnjë e më tepër në fjalorin politik në marrëdhëniet ndërkombëtare mori udhë përdorimi i gjerë i koncepteve “Perëndimi” dhe “Lindja komuniste”, që definonin dy botë e qytetërime të kundërta, dy filozofi, rrugë e mënyra zhvillimi të kundërta, dy forma të kundërta mënyre jetese e të zhvillimeve ekonomike, politike e sociale, që synonin, jo një garë, por një luftë frontale e pa ekuivok, për të fituar mbi njëri-tjetrin. Ato kishin dhe hapësirat përkatëse gjeografike të shtrirjes së tyre, që i mbronin nga njëri-tjetri ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht. Perëndimi e mundi Lindjen komuniste në të gjitha drejtimet: e mundi ekonomikisht, duke dëshmuar epërsi të qartë zhvillimi dhe të rendimentit, e mundi politikisht teksa demokracia perëndimore shfaqi supremaci dhe institucionet demokratike efektive e të respektuara nga qytetarët dhe sundimi i ligjit e shteti juridik dëshmuan vlera funksionimi. Perëndimi e mundi Lindjen komuniste edhe në fushën e lirive e të drejtave të njeriut, ku komunizmi pretendoi se kishte mbajtur flamurin.
Sot nuk ka dy sisteme të kundërta, por megjithatë Perëndimi ka qenie, substancë, identitet, vlera dalluese dhe rol domethënës në zhvillimin botëror. Pas rrëzimit të komunizmit, u konstatua një mospërdorim i koncepteve “Perëndim” dhe “Lindje”. Pati entuziazëm e shpresë euforike se ndryshimi i kryer do të thellohej më tej, por që dëshmoi një iluzion, sepse nuk merrte në konsideratë përmbajtjen e politikës, që ka në zemër të saj interesat komplekse. Në tregun mediatik e politik zunë vend konceptet mbi botën multipolare etj., por dhe zërat për një qeverisje botërore ndryshe. Pati nga ata që, pas këtij ndryshimi të madh, përcollën pohimin “Perëndimi vdiq” ose ka vdekur, apo se SHBA-të e kanë humbur tashmë rolin udhëheqës të tyre apo që do ta humbasin.
Perëndimi konsumoi shumë në këtë përballje, ndoshta dhe u lodh, por arriti të fitojë realisht, shfaqi epërsi të dallueshme, duke sjellë një ndryshim thelbësor në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai përfaqësohet nga një model konkret qytetërimi e zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, politik e social, mbështetur në standarde të larta. Kjo e ka bërë atë të jetë një sistem referimi, jo për ta luftuar, por për të arritur ato standarde mbi të cilat ai funksionon. Në një farë mënyre, ai është zgjeruar teksa, ish-vendet komuniste të Lindjes kanë instaluar ekonominë e tregut dhe institucionet e demokracisë pluraliste, d.m.th. modelin fitues të zhvillimit.
Njerëzimi kishte parë rrëzimin e modelit të skllavërisë, të feudalizmit, përmes revolucioneve borgjeze, që afishuan parullat e lirisë, barazisë, drejtësisë e demokracisë, fitoren e revolucionit të parë socialist të tetorit më 1917 në Rusi e pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, zgjerimin e hapësirës së modelit socialist, që u ndihmua jo vetëm nga përmbajtja e parullave për një rend shoqëror më të drejtë e më të mirë, por edhe nga goditja e rëndë që pësoi modeli perëndimor nga kriza e viteve ’30, siç pa dhe dështimin apo rrëzimin e modelit të komunizmit. Ishte në fakt një dështim e kapitullim nga brenda, natyrisht dhe i konsumuar rëndë nga përballja me modelin perëndimor të zhvillimit. Modeli socialist që u aplikua, nuk u rrëzua me ndërhyrje ushtarake nga jashtë, por përmes zemërimit dhe revoltimit të njerëzve nga brenda vendit. Fitorja e Perëndimit ishte në thelb fitore e vlerave të zhvillimit ekonomik, social e njerëzor, e lirisë mbi totalitarizmin.
Perëndimi në një farë mënyre “u deh” nga kjo fitore, u ndje i sigurt, teksa zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në SHBA e aleatët e saj funksiononte, projekti europian avanconte dhe, si të thuash, ra në një qetësi relative të përkohshme, derisa u trondit rëndë nga kriza ekonomike botërore dhe financiare e vitit 2008, që evidentoi një problematikë të brendshme të mprehtë ekonomike, sociale, por edhe politike. Ra në sy një shkujdesje ndaj nevojës së përsosjes së modelit ekonomik e financiar, por dhe atij politik, teksa liberalizmi dhe pluralizmi politik shfaqën probleme jo të vogla, apo sistemi demokratik në tërësi. Perëndimi po ecte tashmë pa atë tensionin e përballjes me sistemin tjetër kundërshtar, por tash po përballej me një problematikë brenda vetes e modelit perëndimor të zhvillimit, si dhe me faktorë e aktorë të tjerë, që erdhën duke e luftuar dhe kërcënuar rëndë atë. Perëndimi u fokusua te problemet globale e ato të sigurisë, ku gjithnjë e më i mprehtë po bëhej terrorizmi ndërkombëtar, dhe sikur nuk u kujdes e nuk u fokusua të merrej sa duhej me veten, me përsosjen e vetvetes, që dukej se e mendonte kështu thjesht të përsosur e të konfirmuar me fitoren ndaj sistemit tjetër kundërshtar.
Dallimet e thella në zhvillimet rajonale, por dhe një lloj ngecjeje e efektivitetit të funksionimit të ekonomisë së tregut, goditjet e njëpasnjëshme të krizave ciklike, një problematikë komplekse brenda hapësirës europiane, por dhe dalja e aktorëve që kërkonin të ndanin rolin dhe fuqinë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare me SHBA dhe aleatët e saj, filluan të kërcënojnë balancat dhe ekuilibrat e vendosur e të nevojshëm për një zhvillim të qëndrueshëm, por që evidentuan qartë dhe një fillim përballjeje me Perëndimin teksa u konstatua se Rusia nuk njihte më kufijtë e Europës, aneksoi Krimenë, shpërtheu konfliktin në Ukrainë, vringëlliu armët, inicioi një garë të re armatimi e filloi provokime konkrete ndaj vendeve anëtare të NATO-s.
Perëndimi, si filozofi e model qytetërimi e zhvillimi, ka jetën e brendshme, thelbin e vet kontradiktor të zhvillimit. Vërtet përballja e egër me komunizmin e nxiti atë të përsosej dhe vërtet u përsos, por thelbësore është kontradikta e brendshme, që definon edhe burimin e zhvillimit, edhe cilësinë e funksionimit, por edhe aftësinë e përtëritjes, duke kritikuar vazhdimisht vetveten. Tash janë kushtet për të kuptuar më mirë problemet e brendshme të Perëndimit, kontradiktat konkrete, që po bëjnë presion për një reformim të ndjeshëm të krejt modelit e jo vetëm në elementët ekonomikë, të thelbit të ekonomisë së tregut doemos, por dhe të funksionimit të sistemit politik e të demokracisë, por dhe sa i përket cilësisë së marrëdhënieve mes vendeve perëndimore. Pra, nuk është fjala thjesht për ta bërë kapitalizmin më të moralshëm.
Sot, pavarësisht se SHBA-të shfaqin zhvillim të qëndrueshëm dhe Gjermania gjithashtu siguron rritje ekonomike, modelet kryesore të shfaqjes së ekonomisë së tregut janë në krizë ose në vështirësi komplekse funksionimi e zhvillimi. Modeli rus i kapitalizmit shtetëror, me centralizim të ndjeshëm, por dhe nga efekti i sanksioneve ekonomike, përjeton rënie ekonomike e ngërç të vështirë funksionimi. Të dhënat tregojnë se pritet një rënie ekonomike tjetër në nivelin e 1.9%, apo se kapaciteti ekonomik i saj ka rënë në nivelin e 3.8%. Sanksionet ekonomike ndaj saj u kanë hequr mundësinë bankave e firmave konkrete të huazojnë para jashtë vendit. Ulja e vëllimit të kredive ka ndikuar në rrjedhjen e kapitalit jashtë vendit. Edhe modeli që shfaqin vendet e formatit të BRIKS, përjeton problematikë krize e mosfunksionim ekonomik, politik e social. Modeli karakteristik kinez, pas një ecurie pozitive filloi të shfaqë problematikë serioze, që shënoi dhe rënien e ritmeve të zhvillimit. Masat e marra nga qeveria kineze nuk prekin përmirësimin e modelit dhe kështu, nuk mund të sjellin rezultate.
Në fakt ekonomia globale ka filluar të rënkojë. Disa institucione prestigjioze ndërkombëtare kanë shfaqur shqetësimin për rënien e ndjeshme të investimeve e të ritmeve të rritjes ekonomike globale, për rritje të përmbajtjes e shtrirjes së varfërisë e pakësimit të ndjeshëm të burimeve ushqimore, pa përmendur fenomenin e ndotjes së ujërave. Janë krijuar hendeqe të thella në diferencat e zhvillimeve ekonomike dhe sociale rajonale dhe pabarazia sociale është bërë e frikshme. Megjithatë, shqetësuese është situata në vendet europiane. Europa sot shfaqet si e sëmura e Perëndimit. Kriza ekonomike botërore evidentoi mjaft probleme, sa u përket zhvillimeve të brendshme ekonomike, sociale e politike të vendeve europiane dhe ecurisë së projektit europian. Kriza ekonomike botërore evidentoi qartë se, neoliberalizmi ia ka lënë vendin krijimit të një peizazhi të ri politik, ku partitë tradicionale, mbështetëse të projektit europian, kanë humbur peshën dhe rolin e partive euroskeptike, nacionaliste e populiste, po i japin tonin jetës politike dhe ekstremizmi politik po kërcënon demokracinë europiane, sistemin e vlerave e atë politik pluralist, të ardhmen e projektit europian.
Europa është vërtet në krizë, që duket se nuk do të kalojë as lehtë e as shpejt. Nuk mungojnë edhe ata që e vlerësojnë BE-në një Europë të vjetër, që po shqepet, duke iu referuar fatit të projektit europian dhe rritjes së presioneve të interesave të shteteve-kombe. Ka frikë e pesimizëm. Demokracia europiane e përfshin fleksibilitetin, por ka dhe forcën e projektit europian, megjithatë ka marrë goditje të rënda. Fakt është se nuk është punuar me strategji të qarta, që besimin e dashurinë për projektin europian t’ia ushqenin brezit të ri dhe, për më tepër, është notuar në ujëra të qeta, pa u kushtuar vëmendje ushqimit e pasurimit të mëtejshëm me ide të projektit europian.
Europa e ka përvojën dhe mundësitë që të bëjë atë që duhet, për të bërë hapin e duhur e jo qepje-shqepje. Përmbyllja e projektit europian nuk mund të jetë kurrsesi një lloj unifikimi nën një autoritet të vetëm, as nuk ka nevojë të përsërisë përvojat e diskretituara e ato të dështuara antidemokratike të llojit të perandorive. Europa sot ka nevojë më shumë se kurrë për qëndrimin e bashkuar rreth vlerave të njohura, edhe pse diferencat nuk kanë munguar, që nuk janë shtuar, por veçse acaruar disi. Evropa ka nevojë të besojë më shumë te vetja, por edhe për mbështetjen e fortë të SHBA-ve. Europa do ta kapërcejë këtë situatë, sepse modeli perëndimor e përmban mundësinë e zhvillimit të qëndrueshëm e të reformimit. Nuk ka sot ndonjë model tjetër teorik e praktik që ta konkurrojë e sfidojë atë.
Nëse e vështron më thellë, atëherë kuptohet se situata komplekse europiane, nuk mund të vlerësohet si një çështje thjesht europiane, por si një problem i thelbit të funksionimit të modelit të Perëndimit, apo dhe si një nevojë më tepër e reformimit të modelit perëndimor të zhvillimit. Fjala është për një reformim të modelit ekonomik, sistemit politik dhe demokracisë, jo për ndreqje të thjeshta, por për ndryshime vizionare komplekse. Është nevojë e përsosjes së qenies së shoqërisë njerëzore, ku qytetërimi perëndimor ka shfaqur qartë epërsinë e tij, por që tash lypset të përsoset. Kjo nevojë lypset të besohet, të veprohet, por që nuk mund të shkosh kundër saj pa u ndëshkuar.
Në mesin e viteve ’60 Perëndimi ndjeu nevojën e një reformimi dhe përsosjeje komplekse ekonomike, sociale e politike, ku të rinjtë në këto vende bënë trysni reale për kuptimin e kësaj nevoje. Ata kërkuan një shoqëri më të zhvilluar, më të mirë dhe më të drejtë. Nevoja e lindur u mundësua edhe nga një revolucion i vërtetë, që po bëhej në teknologjinë e prodhimit, nga aplikimi i shkencës, automatizimit dhe përdorimit të kibernetikës e elektronikës në prodhim, që ndikuan direkt në pakësimin e punës së rëndë fizike e rritje të peshës së asaj mendore, dhe sidomos zhvillim të prodhimit e nivel të ri mirëqenieje. Të rinjtë u frymëzuan atëhere nga mendimi filozofik, që argumentonte ndryshimin, përsosjen ekonomike, politike e sociale, që realisht ndodhi në Europë dhe në SHBA dhe që u bë dhe faktor i fitores në përballjen me lindjen komuniste. Edhe sot, modeli aktual i ekonomisë së tregut ka evidentuar një thellim të ndjeshëm të pabarazive sociale, që sipas Stiglitz, po nxitet nga ajo që e quan epoka e monopoleve. Kjo do të krijonte një problematikë të mprehtë sociale, edhe si pasojë e frenimit të rritjes ekonomike. Kjo dëshmon se ka një problematikë konkrete rreth raporteve treg-shtet, në marrëdhëniet mes prodhimit e shpërndarjes, por dhe për rolin e monopoleve, që duhen përsosur.
Perëndimi sot, veçse përballë një nevoje reformimi e përsosjeje të domosdoshme, ndodhet tashmë përballë përpjekjeve për ta përçarë e stopuar në ecurinë e tij, reflektimin e veprimin e tij, përballë një sulmi e kërcënimi konkret nga aktorë e faktorë të ndryshëm, si terrorizmi ndërkombëtar, shfaqjet konkrete të ekspansionizmit dhe shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare. ISIS-i ka goditur hapur dhe kërcënuar publikisht vendet e BE-së dhe SHBA-ve. Kriza e refugjatëve, edhe pse e shkaktuar për arsye komplekse, po shfrytëzohet në rolin e një arme për destabilizimin europian, përçarjen europiane dhe të Perëndimit. Megjithatë, shqetësim real është fakti apo qëndrimi i Rusisë, që pasi refuzoi bashkëpunimin dhe partneritetin me NATO-n dhe Perëndimin, u izolua edhe në formatin e grupit bashkëpunues G7. Hapat e saj në aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e konfliktit në Ukrainë, por jo vetëm ato, e kanë detyruar Perëndimin të reagojë, aq më tepër që janë vlerësuar si mosnjohje e cenim i kufijve të Europës, por dhe një lloj ekspansionizmi i ri, si shkelje të ligjit e të së drejtës ndërkombëtare. Rusia ka të drejtë të synojë rol superfuqie në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por kjo nuk nënkupton shkelje të ligjit e të së drejtës ndërkombëtare.
Rusia mund të ketë të drejtë të mos dakordësohet me opsione e qëndrime të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, por nuk mund t’i konsiderojë SHBA-të armike të Rusisë, që nuk e kanë kërcënuar aspak atë. Rusia mund të ketë të drejtë të kundërshtojë masat mbrojtëse të SHBA-ve dhe NATO-s ndaj aleatëve që janë në kufij me Rusinë dhe që ndihen të kërcënuar nga Rusia, por nuk mund të ecet duke përqendruar armë e trupa dhe as duke vringëlluar armët, deri ato bërthamore, e as duke kryer provokacione ndaj aleatëve euroatlantikë dhe vetë SHBA-ve, siç ndodhi në ujërat e Balltikut. Përvoja e Luftës së Ftohtë 1 dëshmoi se gara e armatimeve, edhe shton rreziqet e paqes dhe stabilitetit, por edhe është kosto tepër e rëndë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Është fakt, se marrja e masave mbrojtëse për aleatët dhe forcimin e krahut lindor të NATO-s, erdhën jo rastësisht. Shqetësimi i vendeve anëtare të aleancës në kufij me Rusinë, nuk duket që të jetë abstrakt e thjesht subjektiv. Në fakt, Perëndimi filloi të shkundet nga vetëbesimi i tepruar ndaj sigurisë së tij vetëm pas veprimeve konkrete të Rusisë në drejtim të Europës, ku rasti i Krimesë dhe Ukrainës janë vlerësuar si flagrante. “Është më se e qartë se nuk mund të rrimë e të shikojmë teksa na kërcënojnë. Do të marrim masat e nevojshme për të balancuar lëvizjet e tyre. Reagimi ynë do të jetë i fortë në rast kërcënimi” – formulohet opsioni e qëndrimi i NATO-s. Edhe Rusia përgjigjet se do të marrë kundërmasa, që, në fakt kështu, vetëm tensionohen marrëdhëniet e rrezikohen paqja dhe stabiliteti. Komandanti i ri amerikan i NATO-s, Curtis Scaparoti është i prerë kur flet për përballimin me një Rusi të rigjallëruar “dhe me sjelljen e saj agresive, e cila sfidon normat ndërkombëtare, të jemi gati nëse përmbajtja dështon”.
Presidenti amerikan Obama, në samitin e vendeve nordiko-balltike ka shprehur qartë shqetësimin mbi praninë agresive ushtarake ruse në Balltik. “Ne jemi të bashkuar në shqetësimin tonë, për praninë dhe sjelljen agresive në rritje të ushtrisë së Rusisë në rajonin nordiko-balltik. SHBA, – ka nënvizuar ai, – do të jenë të përgatitura për të kundërshtuar çfarëdo agresioni të perceptuar të Rusisë”. Por, presidenti amerikan ka theksuar gjithashtu se, “do të mbajmë dialogun me Rusinë dhe do të synojmë bashkëpunimin me të, duke e inkurajuar t’i mbajë aktivitetet e saj ushtarake në harmoni të plotë me obligimet ndërkombëtare”.
Në fakt, SHBA-të dhe Perëndimi po përpiqen konkretisht të zvogëlojnë diferencat mes tyre, të bashkëpunojnë e diskutojnë për zgjidhje krizash, si ajo ukrainase e siriane, por ato që po shfaqen më shumë është mosbesimi dhe retorika e përplasjes, dhe një garë e shfrenuar armatimi. Edhe kërkesa për t’i dhënë jetë një këshilli apo bashkëpunimi NATO-Rusi, duket se është refuzuar. Përmes shefit të NATOS Stoltenberg, është deklaruar qartë se “ne nuk do ta dëshironim një Luftë të Ftohtë”, dhe përsëri asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhënien mes tyre. Ka sot edhe nga ata që mendojnë se mund të kemi një përplasje të pashmangshme NATO-Rusi, sidomos pas vendosjes së mburojës raketore në Rumani dhe në Poloni, që Rusia e ka vlerësuar si një kërcënim.
Ky zhvillim tregon se Europa mund të jetë shumë e kërcënuar, por pse ka prirje apo dëshira për vendosjen ballë për ballë të Perëndimit me Rusinë? Kujt i intereson kjo zhurmë dhe përballje? Vetëm paqes dhe stabilitetit, prosperitetit dhe mirëqenies së popujve, ardhmërisë së njerëzimit jo! Sot janë shtuar ndjeshëm pasiguritë globale. Siguria është vërtet një çështje globale dhe garantimi i saj mirëpret një kontribut real, sidomos nga aktorët kryesorë e veçanërisht nga SHBA-të dhe BE-ja, që kanë edhe përvojën, mundësitë e fuqinë, filozofinë e metodologjinë e duhur. Edhe për këtë arsye modeli perëndimor nevojitet të reformohet e përsoset, pa u vonuar, që t’u kontribuojë me efektivitet progresit dhe së ardhmes së njerëzimit. Nisur nga vlerat që mbart, Perëndimi duhet të udhëheqë progresin dhe evolucionin e njerëzimit, natyrisht, duke garantuar një tërheqje e bashkëpunim sa më të gjerë.
*Varshavë

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: