GJERMANI- Drejtuesi i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës në PD, Bardh Spahia dhe anëtarë të Departamentit zhvilluan takime me azilkërkuesit shqiptarë në disa kampe në zonën e Limbourgut dhe Eltz pranë Frankfurtit. Në kampin Freiherr-Vom Stein Kaserne mbi 50 shqiptarë të ardhur nga Kukësi, Fushë-Kruja, Shkodra, fshatrat e Fierit dhe Lushnjes thanë se, shkak i emigrimit është varfëria e tejskajshme dhe pamundësia për një të ardhme normale në familjet e tyre.

“Unë jam murator, u shpreh Bujari nga Fieri, dhe nuk gjeja dot punë në ndërtim. Kam për të mbajtur një nënë të sëmurë, të cilës i hoqën dhe invaliditetin. Si dhe babain e moshuar me pension minimal. Më thoni me çfarë të jetonim në Shqipëri”, u shpreh një prej tyre.

Të tjerë azilkërkues ankohen për masat represive të qeverisë si shkak i largimit nga Shqipëria. “Ne nuk kemi para të shtyjmë ditën e jo të paguajmë kamatvonesat apo kasat tatimore për dyqanet e listave veresije”.

Azilkërkuesit vlerësuan vizitën e Departamentit të Emigracionit si takim i parë i përfaqësuesve politikë nga Shqipëria. Të revoltuar ata shprehën indinjatën për shpërfilljen që Rama bëri me hapjen e ekspozitës së pikturave në Mynih duke refuzuar të thotë dhe një fjalë të vetme për shqiptarët në azil.

“Ne nuk jemi jetimët e Shqipërisë, meritojmë sado pak vëmendje dhe përfillje nga kjo qeveri, e cila mashtroi për një jetë më të mirë dhe me shërbime falas, por ata sollën krizë dhe jetë të pamundur; na e shtrenjtoi çdo gjë atje ku s’mban më”, u shpreh një nënë e re nga Kukësi, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e dytë në kamp. Me 35 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, ne nuk ngopemi me bukë dhe jo të mbajmë familjen, thotë ajo. 

Drejtuesi i Departamentit Bardh Spahia tha se është pikëlluese që shqiptarët braktisin shtëpitë dhe mundin e një jete për të gjetur mundësitë dhe shpresën në azil, duke theksuar se kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë zgjidhja. Nëse shqiptarët do të kishin një kryeministër dhe qeveri të përgjegjshme e të aftë, vendet e  punës dhe mundësitë për një  jetë normale do të ishin siguruar në vendin tonë, por Rama, mazhoranca dhe qeveria janë vetë shkaku i azilit,i kësaj drame të madhe kombëtare, theksoi Spahia gjatë takimeve. 

Njeherësh Spahia shprehu vendosmërinë e PD për të luftuar shkaqet e vërteta që detyrojnë shqiptarët të lenë vendin.

Në kampin Staffel në Eltz ku mbi 200 shqiptarët jetojnë në çadra, zyrtarët demokratë u pritën nga dhjetra të rinj, gra e fëmijë që nuk kontaktonin me javë të tëra me familjarët në Shqipëri.

“Qeveria na braktisi si në Shqipëri dhe në azil. Edhe pse shumë prej nesh votuan Ramën dhe PS ne jemi shumë të zhgënjyer dhe pa shpresë ndaj pushtetit të tij me dhunë dhe terror. Nuk ishte Rilindje por vdekje për ne, dhe shpresat tona”- u shprehën ndisa të rinj azilkërkues. 

Gjatë takimit u theksua  se Rama dhe mazhoranca këmbëngul në refuzimin e shkaqeve të vërteta të azilit duke manipuluar opinionin, herë si trafik të qenieve njerëzore, herë si leksion diplomacie për politikat emigratore të BE, e herë si kritika për statistikat ndaj autoriteteve gjermane. Absurdi i pushtetit të krimit nuk ka kufi dhe pasojat bien vetëm mbi shqiptarët e varfër që detyrohen të emigrojnë me çdo mënyrë.

“Mohimi i azilit me shpërfillje dhe arrogancë, mosmarrja e përgjegjësive për krizën e prodhuar në vend nuk duhet jetë më rruga e përballimit të kësaj situate. Realiteti i azilkërkuesve është emergjencë kombëtare që kërkon një strategji emergjente masash”, tha Spahia. 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb