TIRANE- Përfaqësues të Shoqatave të Bashkive dhe Komunave të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të qarqeve kanë shprehur sot rezervat e tyre lidhur me Pr/ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

Ankesat e tyre, Përfaqësuesit e Shoqatave të Bashkive dhe Komunave, si dhe të qarqeve, i parashtruan gjatë një seance dëgjimore në Nënkomisionin për Qeverisjen Vendore, të drejtuar nga Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.

Në vërejtjet e tyre, përfaqësuesit e njësive vendore theksuan tre linja kryesore. E para lidhet me mënyrën e formimit të Këshillave të Qarkut, e dyta, lidhur me konsultimet me pushtetin qendror dhe e treta, problemi që lidhet me përzgjedhjen e administratorit. Problem ky, që sipas grupeve të intersit lidhet direkt me strukturën e re të Bashkive dhe administratorëve të saj, pasi nuk do të ketë më komuna.

“Në reformën Administrative nuk janë prekur Qarqet, duke i lënë sërish në hallkën më të dobët të sistemit. Veçanërisht përzgjedhja e Këshillave të Qarkut është një problem i madh, ku Tirana dhe Fieri faktuan më së miri këtë shqetësim”, tha Tasim Mema (ish-Kryetar i këshillit të qarkut Tiranë), përfaqësues i Shoqatës së Qarqeve, i cili shtoi se me këtë reformë Qarku del jashtë loje.

Sipas tij është e nevojshme që ligji mos të jetë një restaurim kozmetike, por të ndreqë problemin. “Në gjykimin tim, pr/ligji ofron ndryshime kozmetike, por jo të qenësishme. Prandaj ne vlerësojmë se duhen marrë parasysh dy rrugëzgjidhje”.

“E para, sipas Memës është përpilimi i listave proporcionale të cilat ti paraqiten komisionit zgjedhor dhe ato të respektohen me përpikmëri, ndërsa varianti i dytë është ai i listave me renditje të paracaktuara, të cilat nuk duhet të ndryshojnë se herë ndryshojnë raportet politike”.

Kreu i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda, si përfaqësues i Shoqatës së Bashkive tha se ligji bllokon procesin e decentralizimit të njësive vendore. “ky ligj i heq oksigjenin të zgjedhurve lokal për të ushtruar kompetencat e tyre në bazë të programit për të cilin janë zgjedhur. Ngërçin, sipas Gudës e sjellë Neni 5, i cili nuk sqaron si do bëhet shkrirja e njësive vendore, ku do shkojnë këto të punësuar, pra, a do t’i nënshtrohen ligjit të nëpunësit civil këta punonjës, apo do i lihet në dorë krerëve të rinj të bashkisë, pas zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit. Po ashtu problem është edhe ndarja e fondeve, ku me një urdhër të Ministrtit të Financave të zgjedhurit vendor trajtohen sipas përkatësis politike, duhet një ndryshim për këtë”, vlerësoi Guda, i cili shtoi se pr/ligji ofron një burokraci të tepruar, që do të zgjas pa fund procedurat.

Artan Shkëmbi, Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, duke vlerësuar se reforma territoriale ishte thelbësore për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit, nënvizoi se Neni 5 ka nevojë për sqarime. “Shqetësim kryesor është çështja e konsultimeve me Qeverinë, pasi nuk ka asnjë udhëzim me ligj se cili do të jetë përfaqësuesi i bashkive që do bëjë këto konsultime. Nga ana e qeverisë konslutori caktohet nga kryeministri, po tek Bashkitë kush do të jetë?, ndërsa vlerësoi se duhet një sqarim për këtë”, theksoi Shkëmbi, teksa nënvizoi se ligji për reformën territoriale ka kapërcyer pritshmëritë e bashkive.

Deputeti i Partisë Demokratike, ArbeNënkomisioni parlamentar për Çështjet Vendore Foto Flor Abazin Ristani në fjalën e tij, duke rreshtuar problematikat e parashtruara nga përfaqësuesit e njësive vendore, u shpreh se ky Pr/ligj, por dhe reforma territoriale në tërësi është hartuar për të fituar zgjedhjet qeveria aktuale dhe jo për të zgjidhur problematikën e qytetarëve dhe të zgjedhurve vendor.

Nga krahu tjetër, Kryetari i Nënkomisionit të Qeverisjen Vendore, Bashkim Fino u shpreh se për reformën territoriale opozita kishte të gjithë lirin e mundshme për të bërë propozimet e saj dhe nuk u paraqit asnjë ditë në komisionin e ngritur për atë punë. “Opozita parlamentare kishte kohën e nevojshme për të bërë propozimet e saj dhe asnjëherë nuk u paraqit për shkak të çështjes së saj politike. Në gjykimin tonë, kjo reformë territoriale forcon njësitë vendore, duke i dhënë Kryetarëve të Bashkisë më shumë kompetenca, pasi do të jenë ata që do të përzgjedhin administratorin dhe ky i fundi do të ketë kompetenca të përafërta me nënkryetarin e bashkisë. Gjithashtu sqaroi Fino, është e vërtet që nuk është prekur Qarku dhe Këshilli i Qarkut, por kjo vjen pasi duhet ndërhyrje në kushtetutë me 2/3 e votave në kuvend dhe për këtë nevojitet opozita”, tha Fino.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, në fjalën e tij u shpreh se vërejtjet mund të jenë të drejta, por duhet theksuar se reforma territoriale është më e rëndësishmja pas hartimit të kushtetutës. “Nëse keni vërejtje jeni të lutur ti parashtroni me shkrim dhe ne do jemi të gatshëm ti marrim në shqyrtim. Kjo reformë është thelbësore dhe është reforma e dytë më e rëndësishme pas asaj Kushtetutës”, nënvizoi Majko.

Në fund, grupet e interesit ranë dakord për një takim të dytë, ku vërejtjet do të paraqiten me shkrim për t’u rikonsultuar. Koha e lënë për këtë është 15 ditë, sipas kërkesë së grupeve të interesit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: