Nënkryetari i LSI Petrit Vasili foli para protestuesve të mbledhur sot për të protestuar kundër qeverisë. Ai tha se protestuesit e opozitës së bashkuar nuk ka forcë që i ndal. Vasili u shpreh se nuk ka shi e as mot të keq që ndal këta protestues kurajoz, ndërsa ka shtuar se breshëri do të bjerë vetëm mbi kokën e Edi Ramës.


“Nuk na ndal njeri. Të gjithë kanë ardhur për të mos pasur asnjë kompromis me kriminelët. Kush shpresoi te shiu, shpresoi të disa deklarata të papërgjegjshme të disave, mori përgjigjen nga mijëra e mijëra qytetarë të Tiranës. Ka vetëm një përgjigje. Asnjë hap pas. Shi, borë, breshër, ca do që të ndodhë, ka vetëm një breshër që do bjerë në kokën e Edi Ramës, nuk e shpëton dot njeri. Të gjithë bashkë ia dhanë përgjigjen sot, do ia japin nesër, deri sa të shporret njëherë e përgjithmonë. Nuk ka hap mbrapa. Vetëm Rama Ik”, tha Vasili.


Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i LSI Endrit Braimllari gjithashtu u shpreh se nuk ka shi që ndal vrullin popullor, ndërsa shtoi se Rama është fajtor për shkatërrimin e vendit.


“Nuk ka shi dhe breshër që ndal vrullin popullor. Do rrimë këtu deri sa Edi Rama të shporret një orë e më parë nga ky vend. Sepse është përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e këtij vendi. Është përgjegjësi kryesor për largimin e të rinjve nga ky vend. Është përgjegjësi kryesor për varfërinë. Nuk ka deklaratë provokative të Policisë së Shtetit që na ndal në rrugën tonë. Siç e shikoni ka vetëm turmë që proteston kundër Edi Ramës. Provokatorët janë civilë të futur nga Sandër Lleshi”, tha Braimllari.

Kryetarja e LSI Floida Kërpaçi nënvizoi se të rinjtë dhe të rejat si dhe gjithë Shqipëria proteston kundër Edi Ramës, këtij njeriu anti-kombëtar.

“Asgjë nuk i ndal të rinjtë dhe të rejat për të protestuar sot, të protestojnë kundër Edi Ramës, kundër këtij njeriu anti-kombëtar që ka larguar të rinjtë dhe të rejat, ka larguar familjet shqiptare sepse i shërben një grupi njerëzish. Kushdo që bëhet palë e kësaj qeverie të krimit është bërë partner i krimit. T’i japim fund këtij kryeministri anti-kombëtar, të hapim një kapitull të ri atë të shpresës për familjet shqiptare, kapitullin ku ka ekonomi dhe mirëqenie për familjet tona. Kapitullin ku të rinjtë dhe të rejat të jetojnë në Shqipëri dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Ky është marshimi i shpresës, asgjë nuk na ndal, asnjë hap pas drejtë një të ardhmeje më të mirë, drejtë një Shqipërie më të drejtë, drejt një rinie që ndërton jetën dhe jeton këtu në Shqipëri. Jemi të gjithë bashkë, të gjithë zemrat tona sot janë me një thirrje të vetme: Rama Ik. Largohu ti njeri që ke larguar rininë shqiptare. Rinia do të qëndrojë këtu. Ti largohu për të hapur kapitullin ku të gjithë e duam Shqipërinë si gjithë Evropa dhe ku jetohet në liri dhe prosperitet”, tha Kërpaçi.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb