Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar Kartën e Konsumatorëve, një nismë që do të ndërmerret për t’u ardhur në ndihmë pensionistëve, familjeve në minimum jetik dhe personave që trajtohen me pension invaliditeti.
Sipas Berishës, me anë të kësaj kartë do të kryhet rimbursimi 100 përqind o TVSH për produktet bazë të shportës.
“Unë kam paraqitur këtu para jush paketën e emergjencës të minimumit jetik mbi 200 euro dhe llogaritjes së pensioneve mbi këtë minimum, pagën minimale 500 euro, por këto përsëri nuk mjaftojnë.
Pse nuk mjaftojnë? Sepse nga këto pensione, tre pensione u merren me TVSH-në, që ata paguajnë në çdo kafshatë ushqim.
A mund ta imagjinoni ju, paguan pensionisti 500 euro TVSH për ushqimet që përdor në muaj, paguan njëlloj sa presidenti i Republikës që merr mbi 5 mijë euro apo Edi Rama që i afrohet aty, për të mos thënë Dumani me 7 mijë euro.
A ka më çnjerëzore se kjo?
Po në kuadrin e programit tonë për të përmbysur shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, për të ngushtuar sadopak këtë hendek të frikshëm të krijuar në shoqërinë shqiptare, dal sot para jush për të informuar qytetarët se do vendoset me urgjencë karta e konsumatorit, me të cilën do rimbursohet 100 përqind TVSH-ja e produkteve bazë të shportës për çdo pensionist, për çdo familje në minimumin jetik, për çdo invalid, pa përjashtim.
Karta ka dy rrugë për të proceduar, ka një rrugë për të ulur TVSH-në ose për të hequr TVSH-në për ushqimet, por kjo përsëri barazon ata që nuk mund t’i barazosh.
Nuk mund të barazosh ti atë që merr 7 mijë euro për të fjetur mbi dosjet e krimit çdo natë, e plus sa merr nga krimi, me këtë që numëron kafshatat me 160 mijë euro.
Ndaj për të mos krijuar këtë barazi, jo, ekspertët sugjerojnë që të mbetet TVSH siç është dhe të gjithë këta, 780 mijë pensionistë, të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, etj, se edhe ata paguajnë TVSH, TVSH-ja e produkteve bazë t’u rimbursohet 100 përqind.
Ekspertët e ekonomisë dhe fushës dixhitale kanë një skemë të shkëlqyer për të shmangur çdo lloj evazioni, pasi çdo faturë e atyre që paraqesin këtë kartë, do depozitohet në një server dhe në krye të 6 muajve do bëhet bilanci, 20-30 ditë mbrapa dhe poseduesi i kartës do marrë të gjithë pagesat që ka bërë për TVSH-në.
Pra, nuk ka bonuse, nuk ka nevojë për bonuse dhe mëshirë pensionisti, pensionisti ka nevojë të bësh një hap drejt ngushtimit të hendekut të tmerrshëm që ke krijuar.
Ky është hapi tjetër i madh që ne ndërmarrim për të lehtësuar jetën e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm pensionistëve, por edhe familjeve në nevojë, të papunëve dhe me radhë”, shprehet Berisha.
(BalkanWeb)