*Lëndohen 6 persona, 3 punëtorë dhe 3 zjarrfikës

*Në vendngjarje 6 makina zjarrfikëse, bllokohet njëri krah i autostradës

TIRANË- Një zjarr i madh ka përfshirë një biznes privat në autostradën Tiranë-Durrës mëngjesin e sotëm. Sipas raportimeve, flakët kanë përfshirë magazinën e një firme turke të tapeteve, perdeve e metrazheve, ndërsa zjarri ka qenë i përmasave të frikshme dhe re të mëdha tymi kanë mbuluar zonën përreth. Pronari i biznesit mësohet se është shtetasi sirian Takson Majkëll Hajazi. Dyshohet se ka qenë një shkëndijë në një prej aparaturave, që ka shkaktuar zjarrin.

Në vendin e ngjarjes shkuan 6 automjete zjarrfikëse si dhe forcat e policisë. Ndërkohë për shkak të zjarrit dhe tymit, 5 persona kanë mbetur të lënduar, dy prej të cilave nuse e vjehrrë. Mësohet se nusja, 25 vjeçe ka qenë punëtore dhe pas përfshirjes nga flakët të ndërtesës ka ndërhyrë vjehrra e saj, 47-vjeçarja me incialet D.M. Personi i tretë me inicialet E.D. ka marrë djegie të lehta. Bëhet me dije se edhe dy zjarrfikës kanë shfaqur shenja asfiksie si pasojë e tymit të zjarrit. Të pesë personat janë jashtë rrezikut për jetën.

Ora 12:11- Shkon në 3 numri i zjarrfikësve të lënduar.

Ora 11:55- Gazetari Spartak Koka raportoi se vetëm kati i dytë i ndërtesës së firmës Bibtex është djegur.

Ora 11:50- Mjeku Rei Malo i Shërbimit vullnetar të emergjencave civile tha se dy zjarrfikësit patën vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit në vendin e ngjarjes. “Njëri u transportua në Spitalin e Traumës dhe tjetri ka marrë ndihmën mjekësore në vend. Njëri ka patur vështirësi në frymëmarrje dhe tjetri djegie të shkallës së parë në dorë”, tha Malo. Dy zjarrfikësit që janë lënduar janë Florian Sheqeri dhe Shpëtim Hoxha, të dy janë jashtë rrezikut.

Policia ka bllokuar njërin kah të autostradës për të shmangur çdo rrezik dhe ka rrethuar zonën duke krijuar një perimetër sigurie, çka ka sjellë edhe trafik të rënduar.
Me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikëseve, zjarri vijon të jetë i fortë, ndërsa dëmet materiale mendohet të kapin një vlerë rreth 2.5 mln euro. Zjarri është intensifikuar edhe për shkak të lëndëve djegëse që ndodheshin në ndërtesë dhe brenda saj flakët vijojnë me të njëjtin intensitet.

Ndërkohë pronari i biznesit i pranishëm në vendin e ngjarjes është treguar i rezervuar dhe nuk ka dhënë detaje. Ja dialogu me gazetarin Spartak Koka:

Sa janë dëmet?

Se di, nuk e dimë.

Po shkaku i zjarrit cili është?

Nuk e di.

A jeni i siguruar?

Po

Masa sigurie keni marrë?

Po të gjitha…

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: