U përmbyll me sukses edicioni i katërt i Kampionatit Ndërkombëtar të Volejbollit BALFIN. Në këtë kampionat të përvitshëm, marrin pjesë punonjës të kompanive të Grupit BALFIN, nga të gjitha vendet ku ndodhet i pranishëm. Këtë vit, katër ekipet finalistë ishin ACREM, Neptun Maqedonia, BALFIN Construction dhe Neptun Kosova.

Ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e madhe u zhvilluan në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë, ku ishin të pranishëm edhe punonjës të tjerë të Grupit, për mbështetje, por edhe për ta kaluar ndryshe kohën e lirë, nën një atmosferë të këndshme dhe nën emocione që përcon një lojë garuese.

Në finalen e zhvilluar mes ACREM dhe Neptun Kosovës, pas një ndeshjeje të fortë, ekipi ACREM arriti të fitojë kupën e edicionit të katërt të Kampionatit Ndërkombëtar të Grupit BALFIN.

Fill pas përfundimit të kësaj ndeshjeje finale, Drejtoresha Ekzekutive e Grupit, Edlira Muka, mbajti një fjalim përshëndetës dhe mes rreshtave u shpreh se Kampionati Ndërkombëtar i Volejbollit BALFIN reflekton bashkëpunimin dhe forcën e punës në ekip që mbizotëron në Grupin BALFIN.

“Ky kampionat tregoi se puna në ekip është vërtetë e rëndësishme. Ndihem e lumtur kur shoh se edhe kur humbasim apo nuk arrijmë të shënojmë pikë, ne vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin”, tha Edlira Muka, e cila më pas i dorëzoi trofeun fituesve.

Kapitani i ekipit fitues ACREM, Artan Picari, tha se fitorja është rezultat i dedikimit dhe punës së palodhur gjatë përgatitjeve.
“Vlerësoj pjesëmarrjen në këtë kampionat si në cdo kampionat tjetër, por ky është edhe më i vecantë sepse përfshin kompani jashtë Shqipërisë, por që janë pjesë e Grupit BALFIN”, shtoi Picari.

Vendi i dytë shkoi për Neptun Kosova, kompaninë që ka fituar kupën e edicionit të parë të Kampionatit Ndërkombëtar të Volejbollit BALFIN.
Çmimi për “Lojtarin më të Mirë Mashkull” u dha për Elio Zhllimën nga ACREM, ndërsa cmimi për “Lojtarin më të Mirë Femër” shkoi për kapitenen e ekipit Neptun Kosova, Drita Nivokazi.

Ajo e konsideroi kampionatin si një mundësi të shkëlqyer për t’u socializuar me punonjës nga kompani të tjera të Grupit, por edhe për të kaluar kohë cilësore jashtë rutinës së punës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: