Në përfundim të mandatit të tij si President i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ka tërhequr vëmendjen me fjalimin e tij të fundit duke bërë thirrje për progres të prekshëm në përmirësimin e Klimës së Investimeve.
Jaço foli gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të AmCham në praninë e 256 kompanive anëtare ku deklaroi se, duhet ende shumë punë që Shqipëria të bëhet ‘magneti i Ballkanit’ për investitorët e huaj. Ai u bëri thirrje bizneseve anëtare të përfshihen sa më shumë që zëri i tyre të dëgjohet ndërsa drejtuesve të AmCham të “zhvishen nga kostumi individual i korporatës” që përfaqësojnë dhe të mbrojnë të drejtat e gjithe komunitetit te biznesit.
“Rruga jonë nuk është pa sfida. Dikush një herë tha që nëse keni rritje 250% të Investimeve, çfarë doni më shumë? Përgjigja ime është ne nuk duam thjesht më shumë. Ne duam shumë më shumë. Ne vleresojmë se potenciali i Shqiperise është për të 5-fishuar investimet amerikane – për t’i bërë ato nga $220 milion në mbi $1 miliardë. Kjo do e krahasonte Shqipërinë me ato vendet që thithin më shumë investime në Ballkan.
Por për të arritur këtë na duhet një klimë biznesi që mundëson konkurrencën e ndershme dhe lufton të pandershmen, me paketa ligjore që parandalojnë korrupsionin. Gjithashtu kërkojmë reformimin e prokurimeve publike në platforma reale dhe transparente ku investitorët e huaj të konkurrojnë lirshëm krahas bizneseve lokale, përcaktimin e incentivave dhe standartizimin e kritereve automatike për marrjen e lejeve të investimeve në mënyrë që Shqipëria të merret seriozisht nga investitorët e huaj”.
Fakt është se bizneset në Shqipëri vijojnë të operojnë në labirinthe burokratike dhe praktika të vjetëruara. Dhe në një kohë kur progresi drejt integrimit duhet të jetë i shpejtë – Shqipëria nuk e ka luksin të ecë me “baby steps” – i duhet të bëjë hapa të mëdha në një kohë të shkurtër. Por reforma mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim real mes sektorit privat dhe administratës publike, theksoi ai.
“Pavarësisht këtyre sfidave, ose ndoshta për shkak të tyre, tani më shumë se kurrë është e rëndësishme që të sigurojmë të ardhmen e tregtisë, bizneseve – hapjen drejt investimeve të reja dhe hapjen drejt investimeve të vërteta strategjike ku Dhoma Amerikane ka një rol të rëndësishëm për të luajtur” u shpreh Jaço.
Enio Jaço drejtoi Dhomën Amerikane për dy mandate duke spikatur me qendrimet e forta publike në mbështetje të bizneseve dhe përmirësimit të klimës së investimeve duke qenë kritik ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, dhe praktikave të padrejta të të bërit të biznesit.
Jaço u shpreh optimist për trajektoren e AmCham dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE. “Unë do të vazhdoj të bashkëpunoj me përkushtim për të ndihmuar në zhvillimin dhe rritjen e komunitetit te bizneseve. Besoj se ne kemi një të ardhme të ndritur përpara nesh, dhe jam i gatshëm të kontribuoj në mënyrë të vazhdueshme” tha Jaço në fund të fjalimit.
(BalkanWeb)