TIRANË

Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, Skënder Gjinushi, u shpall  sot zyrtarisht kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ai u zgjodh në krye të këtij institucioni me 35 vota pro dhe 6 kundër. Para nisjes së procesit të numërimit, kreu i ri i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, prezantoi edhe platformën e tij për këtë institucion, ndërsa tha se duhen reforma të thella në të gjitha drejtimet, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor.

Këtë proces e ka kundërshtuar akademiku, Artan Fuga, i cili tha se dita e sotme është një ditë e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri. Ai pohoi se këto zgjedhje janë farsë dhe nuk do të pranojë rezultatin, pasi sipas tij, ky proces është puç institucional që i bëhet Akademisë së Shkencave.

Profesor Fuga ka theksuar mes tjerash se këto zgjedhje janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me rregulloren që parashikon Akademia. Ai ka shtuar se ky proces do të shtojë edhe më shumë krizën e këtij institucioni duke nënizuar se dita e sotme është një e premte e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb