KOSOVE-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në përfundim të protestës së opozitës kosovare të zhvilluar të shtunën pasdite në Prishtinë, i la dy javë afat qeverisë për të plotësuar kërkesat e opozitës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka dy javë afat për t’i zbatuar kërkesat e kësaj proteste”, tha lideri Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kundër kapjes së shtetit” ishte slogani i protestës që organizuan sot në Prishtinë, tre partitë opozitare kosovare. Opozita ka gjithsej 31 deputetë, numër i vogël në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, që është më pak se i cilësdo nga dy partitë e mëdha të koalicionit qeveritar, PDK-së me 35 e LDK-së me 33 deputetë.

Para ndërtesës së qeverisë së Kosovës në protestën kundër “kapjes së shtetit” folën liderët e partive opozitare, Fatmir Limaj i Nismës, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Visar Ymeri i LVV-së.

Opozita kosovare gjatë protestës së sotme zhvilloi disa “aksione simbolike”, të parin para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, murin e së cilës e kanë ngjyrosur me të zezë dhe kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike para ndërtesës së KEDS-it, ku kanë thyer disa orëmatëse dixhitalë. Ndërsa para ndërtesës së Radio Televizionit të Kosovës, vendosën një altoparlant për të dhënë mesazhin se është shndërruar në altoparlant të pushtetit.

Lidhur me mbarëvajtjen e protestës, Policia e Kosovës informoi se ajo u zhvillua e qetë, ndërsa njësitet policore u kujdesën për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Plani policor në aspektin e sigurisë u zbatua ashtu siç ishte parashikuar me ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, si dhe planifikimet për ri-orientimin e trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

“Policia e Kosovës vazhdon të njohë të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në protesta e manifestime dhe deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë incident”, përfundon njoftimi për shtyp.

Në përfundim të protestës, Qeveria e Kosovës deklaroi se vlerëson kulturën e demonstruar sot nga protestuesit në Prishtinë.

“Duke shprehur respektin për të drejtën e protestës, si mjet demokratik të shprehjes së shqetësimeve qytetare, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson kulturën e demonstruar sot nga protestuesit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

“Qeveria e Kosovës vlerëson, po ashtu, organet e rendit për përkushtimin e tyre për të siguruar kushte normale për protestuesit dhe për të siguruar objektet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në Prishtinë, këtë vit, në 24 janar Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës, ndërsa në 27 janar u zhvillua po ashtu me përplasje mes protestuesve e policisë protesta e dytë e opozitës, e cila pasohet sot me të tretën, e paralajmëruar nga organizatorët “paqësore dhe e dinjitetshme”

Mësohet se protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e kreut të RTK-së, dhe po brohorasin: “RTK e jona, jo e Kadri Veselit”.

PROTESTUESIT PARA QEVERISE, LIMAJ: TE NDALIM KAPJEN E SHTETIT
Ora 16:20- Para masës së grumbulluar te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ka folur kreu Nismës, Fatmir Limaj, i cili tha se protesta e sotme e qetë po dëshmon se kush po përdor dhunë.
“Sot jemi bashkuar gjithë për t’i thënë stop keq qeverisjes dhe kapjes së shtetit”, tha ai.

“Ftojmë të gjithë ata që i kanë votuar dy partitë në pushtet, që t’ia marrin votën, sepse votën ua morën me mashtrime”, tha Limaj, i cili tha se Kushtetuta e Kosovës është Kushtetuta e Enver Hasani.

Ai tha se në qoftë se Qeveria nuk reflekton do të vazhdojnë me protesta deri në rrëzimin e saj.
PROTESTUESIT PERLESHEN ME POLICINE
Ora 15:43- Teksa kanë mbërritur para selisë kryesore të KEDS-it, protestuesit filluan përleshjet me policinë. Protestuesit i bën thirrje Policisë që t’i lejojë që ta përfundojnë aksionin e tyre të paralajmëruar.
Sipas protestuesve kjo është protestë paqësore, edhe pse në ndërkohë gjuanin me gjëra të ndryshme në drejtim të Policisë.

POLICIA: PROTESTA E PALAJMERUAR
Ora 14:53- Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se organizatorët e protestës as kësaj radhe s’e kanë lajmëruar protestën në Polici, siç parashihet në Ligjin për tubimet publike.
“Ligji mbi tubimet publike e bën të qartë se nga organizatorët protesta duhet të lajmërohet zyrtarisht në Polici. Kjo rrugë nuk është ndjekur përpos asaj që është bërë publike në media”, ka thënë Kelani, për RTV21.

Kelani ka treguar se deri në katërmijë policë mund të jenë të gatshëm të ndërhyjnë nëse protestuesit shkelin ligjin.

(a.n/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: