GJENEVË- Përfaqësuesi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura njoftoi dje përfundimin e raundit të parë të bisedimeve të paqes për Sirinë. “Palët i kanë marrë seriozisht negociatat duke mos u tërhequr nga bisedimet dhe ky raund ishte një fazë përgatitjeje për të nisur bisedimet për procesin e tranzicionit politik në Siri”, deklaroi De Mistura, i cituar nga agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency.

“Për marrëveshjen e ndalimit të konflikteve dhe për vazhdimësinë e dërgimit të ndihmave humanitare ka nevojë për një zgjidhje politike dhe për një zgjidhje politike ka nevojë për vizionin e një procesi të tranzicionit politik”, shtoi ai. “Që nga ndalimi i konfliktit, më 27 shkurt e deri tani, është shpëtuar jeta e afërsisht 3 000 personave”, tha De Mistura.

“Delegacioni i qeverisë siriane më së shumti u përqendrua mbi parimet. Ndërsa opozitarët janë përqendruar në procesin e tranzicionit politik. Sigurisht që principet janë të rëndësishme, por nëse flitet vazhdimisht për to në një raund më pas nuk mund të flasim për procesin politik”, theksoi zyrtari i lartë i OKB-së.

Parimet themelore të paraqitura nga OKB-ja që palët kanë rënë dakord janë si më poshtë:
– Sovraniteti, uniteti dhe integriteti territorial i Sirisë do të ruhet.
– E ardhmja e Sirisë do të vendoset nga populli i Sirisë me mjete demokratike, pra zgjedhje.
– Siria do të jetë një shtet ku të përfaqësohen të gjitha shtresat, një shtet gjithëpërfshirës, demokratik dhe jo i bazuar në sekt.
– Të gjitha institucionet dhe mekanizmat e vendimmarrjes në periudhën e tranzicionit dhe pas tij do të përfaqësohen të paktën me 30 për qind.
– Do të përgatitet një kushtetutë e re, do të mbahen zgjedhje të lira dhe të drejta.
– Për luftën kundër terrorizmit do të pengohet dërgimi i ndihmave me armë dhe financiare ndaj grupeve terroriste.
– Do të formohet një ushtri e re kombëtare e bashkuar.
– Do të ofrohet rikthimi i refugjatëve në Siri.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: