Një investim i qeverisë gjermane përmes KfW dhe BE, përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, nisur tri vite më parë do t’u përmirësojë cilësinë e jetesës në konvikte mbi 3000 studentëve në Tiranë.
Melisa Shaqiri, studentja nga Elbasani që ndjek degën e “Administrim Biznesi” në fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, ka ardhur të shohë nga afër godinat e reja të “Qytetit Studenti”. Aktualisht, ajo jeton në godinat që presin të rikonstruktohen. “Qiratë janë shumë të shtrenjta dhe shpeshherë të papërballueshme nga studentët. Kam vendosur të jetoj në konvikt, sepse me kushtet e reja, më duket më e lehtë të përqëndrohesh tek studimet”.
Në “Qytetin Studenti” Nr.1 ka përfunduar rindërtimi i pesë godinave të fazës së parë të projektit të përbashkët mes qeverisë gjermane dhe Bashkimit Europian.
“Qeveria gjermane ka dhënë më shumë se 30 milionë euro në formën e granteve dhe një huaje përmes KfW-së në këtë projekt, ndërsa Instrumenti i Investimeve tw Ballkanit Perëndimor i BE-së ka dhënë grantin prej rreth 5 milionë eurosh përmes KfW-së” – thotë Florion Ferro, përfaqësues i Bankës gjermane për Zhvillim.
“Shembëm muret dhe rikonceptuam dhomat”
Maja Studoviç, menaxhere projekti pranë kompanisë gjermane “Fichtner Gmbh Consulting” i ka parë godinat e vjetra që në çastet e para kur nisi puna. Ajo thotë se shumica e punës inxhinierike të bërë në fazën e parë, ishte shembja nga e para e mureve dhe konceptimi i dhomave me tualete dhe dushe brenda, në ndryshim nga ç’ishin më parë, ku kryesisht dushet ishin në pjesën e bodrumeve dhe në numër shumë të vogël.
“E kuptoni çfarë do të thotë të zbresësh me robdëshambër nga kati i pestë i konviktit, të shkosh të bësh dush në bodrum dhe të ngjitesh sërish sipër, edhe në temperatura të ulëta?” – thotë Studoviç për DW.
Ajo thekson se nevoja për të rindërtuar mjedise sa më të përshtatshme për studentët, ndryshoi dhe filozofinë e KfW, e cila në zbatimin e projekteve të saj përdor 50% të buxhetit për efiçencën e energjisë dhe pjesën tjetër për pjesën strukturore. “Zakonisht, financimet e KfW janë rindërtim në themel, por në këtë rast 70% iu kushtua ristrukturimit të dhomave të pesë godinave të para, me qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së ndërtesave dhe rritjen e rehatisë për studentët që do të jetojnë këtu”.
Në thelb një kusht shumë bazik, dushet brenda në dhomë në Tiranë janë konsideruar një luks deri në rindërtimin e godinave të reja. “Tualeti brenda në dhomë dhe ndarja e dushit vetëm me shoqen e dhomës më duket shumë komoditet” – konfirmon Melisa, studentja nga Elbasani.
Panele diellore në çatitë e konvikteve
Duke shfrytëzuar klimën e favorshme dhe ditët me diell në pjesën më të madhe të vitit në Tiranë, projekti ka përfshirë edhe vendosjen e paneleve diellore me qëllim uljen e kostove për studentët si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme.
“Përveç përmirësimit të kushteve të jetesës për studentët, rinovimi i efektshëm i energjisë gjatë fazës së parë ka kontribuar në uljen me rreth 40% të konsumit të energjisë në godinat e rikonstruktuara, duke e bërë menaxhimin e “Qytetit Studenti” me më pak kosto dhe më të qëndrueshëm” – theksoi përfaqësuesi i KfW-së, Ferro.
Në të gjitha godinat e rindërtuara dhe që do të ndërtohet në muajt në vijim, janë instaluar sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje, një tjetër domosdoshmëri që i mungonte konvikteve të Qytetit Studenti.
Projekti do të finalizohet pas katër fazash, me rindërtimin e plotë të 19 godinave të “Qyteti Studenti 1” dhe me akomodimin e mbi 3000 studentëve. (DW)