TIRANE – Juristi përgjegjës i OSHEE-së për çështjen e arbitrazhit, Romeo Kara ka deklaruar në “News24” se dëshmia e E.M, e publikuar në media nuk është dorëzuar në arbitrazh. Pas publikimit të videos ku dëshmitari kërcënohet nga juristi i OSHEE-së në një lokal në Tiranë, Kara sqaron se personat që shfaqen në video njiheshin dhe kishin konfidenca dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Sipas Romeo Karas, juristi e ka takuar dëshmitarin për t’i kërkuar nëse kishte publikuar dokumente të tjera, në mënyrë që juristët e OSHEE-së të përgatiteshin nga ana ligjore. Kara thekson se dëshmitarin e ka kapur paniku, dhe thotë se shikon çdo ditë nga një motor që e ndjek, por realisht nuk ka asnjë kërcënim real. Sipas tij, politika po fut hundët më shumë seç duhet dhe po e ngatërron këtë proces.

“Elvisi me Rezartin kanë një njohje shumë të gjatë prej më shumë se një viti e gjysmë. Ata kanë pasur dhe konfidenca dhe bashkëpunim për të qëndruar bashkë dhe për ta pasur këtë takim. Në fillim të takimit Elvisi ka provokuar duke thënë se ti ke çimkë me vete. Dhe për këtë arsye Rezarti ka kërkuar të mos fillojë bisedimi pa dhënë garanci se nuk ka përgjim.  E vërteta është kjo, që Elvisi ka qenë bashkëpunëtor me ne, që nga fillimi. Nëpërmjet meje dhe stafit tim, i ka të gjithë materialet që mund të shkojnë mbi 40 -50 giga lidhur me këtë çështje, dhe nuk mund të thotë se nuk ka materiale. Dëshmia e tij nuk është dorëzuar na ana jonë në arbitrazh. Eshtë e papranueshme që këto dëshmi që nuk janë dërguar në arbitrazh të publikohen. Elvisi i ka thënë hajde në zyrën time dhe më pas e ka pritur në lokal. Kanë qenë shumë familjarë me njëri-tjetrin. Rezarti ka kërkuar vetëm diçka, çfarë dokumenti tjetër ke nxjerrë që ne të përgatitemi nga ana ligjore. Elvisi është shqetësuar për heqjen e mbrojtjes. Elvisin e kapi paniku dhe e pa që mund të ishte më i mbrojtur nga mediat, por e vërteta është se nuk i është hequr mbrojtja nga policia.  Me dëshmitarin kam pasur shoqëri, dashamirësi. Elvisi nga natyra është i tillë që e kap paniku. kam këmbëngulur që ai të ketë mbrojtje, pasi pretendonte se e ndiqte nga një motor çdo ditë, por nuk ka patur asnjë kërcënim real.”- deklaroi Kara.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: