Nga OLS LAFE

Zoti Shyti, ju përmes medias i jeni drejtuar Presidentit të Republikës me një letër të hapur, duke e akuzuar publikisht këtë institucion për shkelje të ligjit për shkak të dekretimit të Rektorit të Universitetit të Sporteve, pesë muaj pas procesit zgjedhor në universitet dhe pas propozimit të ardhur nga Ministria e Arsimit. Përpara se të adresonit një akuzë-shpifje publike ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, ju kishit detyrimin moral, institucional dhe ligjor të kërkonit një informacion mbi këtë çështje pranë institucionit tonë. Për sa pretendoni, për një proces zgjedhor skandaloz në Universitetin e Sporteve dhe ndërhyrjen e paprecedent të individëve me pushtet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në këtë proces zgjedhor, institucioni i Presidentit të Republikës mbetet maksimalisht i njehsuar me shqetësimin tuaj.

Por ju Profesor, e dini mirë se Presidentit të Republikës nuk i është lënë asnjë kompetencë për të ushtruar në monitorim apo vendimmarrje të procesit. Kur mazhoranca politike ndryshoi Ligjin për Arsimin e Lartë në parlament duke hequr edhe disa kompetenca thelbësore të Presidentit të Republikës në procesin e dekretimit të rektorëve, ju dhe shumë kolegë tuaj heshtët! Përse heshtët? Ne nuk e dimë! Heshtët se kishit frikë? Heshtët se u konformuat me pushtetin e radhës? Heshtët se menduat se ato ndryshime nuk lidheshin me ju? Heshtët se besuat se ato nuk cenonin parimet demokratike të kontrollit dhe balancimit midis pushteteve? Nuk e dimë saktësisht!

Për sa akuzoni, se është shkelur ligji nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, më duhet t’ju bëj me dije, ndoshta me vonesë tashmë, pasi ju u nxituat shumë, se: Gjatë këtyre 5 (pesë) muajve që prej ardhjes së propozimit, institucioni ynë është angazhuar seriozisht për të verifikuar dhe sqaruar çdo pretendim dhe mosmarrëveshje gjyqësore mes jush. Për këtë, nisur nga letra-ankesë juaja drejtuar institucionit tonë me dt. 06.05.2016, i jemi drejtuar me kërkesën për informacion të detajuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit më dt. 17.05.2016, e cila na ka kthyer përgjigje me shkresën e saj nr.5072/1 prot., dt. 25.05.2016. Për shkak se ky material nuk ishte bindës për ne, rikërkuam një informacion tjetër mbi ligjshmërinë e procesit zgjedhor nga Ministria më dt. 13.06.2016, së cilës Ministria iu përgjigj me shkresën e saj nr.5072/3 prot., dt. 11.07.2016, ku konfirmonin ligjshmërinë e procesit.

Pas marrjes së informacionit se z. Agron Cuka rezultonte i dënuar në vitin 1994 për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” (neni 69 i KP është i rehabilituar), si organi verifikues, konstatuam se ky rast nuk përkon me parashikimin e rasteve të ndalimit për kandidim dhe zgjedhje në një funksion të lartë publik, sipas Nenit 2 të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Konkretisht nuk bëhej fjalë për asnjë nga veprat penale të parashikuara në nenin 2, pika 1, germa a, b dhe c. Mbetej të verifikohej parashikimi në germën ç të këtij neni. Për këtë, me shkresën tonë nr.1593 prot., dt. 08.08.2016, iu drejtuam Prokurorisë së Përgjithshme si i vetmi organ hetimor në Republikën e Shqipërisë.

Institucioni i Prokurorisë na u përgjigj me shkresën e saj nr.2480/ 8 prot., dt. 16.09.2016, duke konkluduar se: “Subjekti deklarues Agron Cuka nuk përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, të ligjit nr. 138/2015, ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’”. Vetëm pas gjithë këtij angazhimi dhe verifikimi, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e Rektorit të Universitetit të Sporteve më dt. 03.10.2016. Zoti Profesor, i gjithë ky informacion do t’ju ishte bërë me dije nëse ju do të respektonit detyrimin moral, kodin civil dhe institucional e, mbi të gjitha, përgjegjësinë ligjore në komunikimin tuaj me publikun. Ju nuk respektuat asnjë prej tyre. Ndaj ju kurrë nuk do mund ta keni më besimin se mund të jeni një edukator dhe trajnues dinjitoz i brezit të ri.

* Drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: