Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka dashur të bëjë asnjë koment lidhur me draft raportin e Komisionit të Venecias të publikuar dje në media por megjithatë një përgjigje e ka dhënë.

Ne një prononcim për Ora News, Presidenti Meta deklaroi:

“Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si President por edhe institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore që i kemi bërë Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë KiE-së dhe sipas Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE-në për marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe sipas vendimit të qartë që ka marrë gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur. Pra, zgjedhje në kuptimin substancial të garantimit të rendit demokratik (dëgjohet ezani nga xhamia)…fjalë e vërtetë. Kështu që jemi shumë të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka ardhur apo që ka dalë apo që ka rrjedhur, kjo është gjëja më e parëndësishme pasi në momentin që stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është apo do të vijë se qarkullojnë me data të ndryshme, përsëri përgjigjja e institucionit të Presidencës do të jetë publike edhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, në dispozicion të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të anëtarëve të komisionit të Venecias por asnjë shqetësim, ose më saktë shqetësimi zero, sepse Presidenti i Republikës ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të rendit demokratik dhe të pluralizmit politik”.

Por i pyetur nëse i trembet Komisionit të Venecias, Kreu i Shtetit ka kujtuar vlerësimin e marrë këtë verë në Venecia, nga autoritetet vendore të Rajonit të Venetos. Ai tha se nuk ekziston data 11, kur komisioni hetimor do të shprehet për shkarkimin e Presidentit. Meta bëri apel që palët të përqendrohen tek zgjidhja e krizës politike dhe detyrat për negociatat.

I trembeni Venecias?

Si mund t’i trembet Venecias “Luani i Artë’ i Venecias të paktën për këtë vit. Kështu që të jeni të sigurt që “Luani i Artë” i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik.

Vazhdoni t’i qëndroni kësaj date?

Po kjo është gjë që ka përfundua, askush të mos lodhet kot dhe të mos merret me datën 11, nuk ekziston data 11. Data 11 ekziston për ata që duan të zgjasin krizën, që duan të thellojnë krizën dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera që qytetarët i ndjekin. Për Presidentin Meta ka vetëm një datë të rëndësishme, data 18, në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi të ecë drejt çeljes së negociatave dhe t’i plotësojë që të gjitha ato detyrime që janë të qarta, të cilat nuk duhet të shtohen më. Prandaj apeli im është të përqendrohen për zgjidhjen e krizës politike dhe të marrin shembull nga Presidenti i Republikës në respektimin e Kushtetutës dhe të parimeve të saj, të cilat janë të shenjta për mua.

Më 13 korrik Presidenti i Republikës, Ilir Meta është vlerësuar në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë”, me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”. (foto gjatë ceremonisë)

Meta Cmimi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb