Ish-koordinator i PS në Maqellarë Arben Keshi ka folur për herë të parë në lidhje me përgjimin e publikuar nga Bild, për zgjedhjet që u mbajtën në Dibër. Në një rrëfim për ‘Top Story’ Keshi ka folur për përgjimet për shitblerjen e votës.

“Një nga simpatizantët është goditur, ndër ta ka qenë edhe Noka, për këtë ka një kallëzim në rrethin e Prokurorisë Dibër. Kryeministri është vënë në dijeni e më ka telefonuar si ndodhi situata dhe e kam sqaruar”, tregon Arben Keshi, ish-koordinator i PS Maqellarë. Po ashtu ai ka treguar se në periudhën kur kishte bërë telefonatën me Ramën, ishte punonjës i Qendrës së Viktimave të trafikimit në Tiranë.
“Në këtë periudhë kam qenë punonjës i Qendrës së Viktimave të trafikimit këtu në Tiranë, e cila varet nga Drejtoria e Shërbimit Social shtetëror. Që nga viti 2011 deri në 2017, unë kam qenë jashtë radhe të policisë. Edhe në këtë rast me kërkesën time. Pasi në 2011 kam kandiduar për kryetar komune në njësinë administrative Maqellarë. Aty ku kam lindur dhe jam rritur. Në 2013 në po të njëjtën njësi, kam qenë në listën e kandidatëve për deputet. Njihem aq sa mund të njihet një kandidat”, tha Arben Keshi.

Në përgjimet e publikuara ng Bild, Keshi u lakua si pika kryesore e kontaktit në terren me koordinatorin politik, Damian Gjiknuri.

“Shtabi elektoral i Maqellarës s’ka pasur asnjë problematikë, janë njerëz që jetojnë aty, banojnë, skemi asnjë të ardhur jo nga rrethet por as nga njësitë e tjera të bashkisë Dibër”, theksoi më tej ish-koordinator i PS Maqellarë. Pasi është pyetur në lidhje me përgjimet me persona të paidentifikuar, ku dëgjohet se flitet për shuma parash dhe vota, Keshi nuk hezitoi t’i përgjigjet akuzave të bërë nga Partia Demokratike.

“Kam arritur në konkluzionin që gjithçka është montuar për të krijuar një fabul, nisur nga komunikimi im me kryeministrin. Janë marrë nga një bisedë tjetër. Është montuar për t’i dhënë sa më ngjyra kësaj fabule”, sqaron Keshi.

Kujtojmë se nga materialet e publikuara nga Bild , Keshi, është përgjuar edhe në biseda me drejtorin Rajonal të Arsimit në atë kohë Drini Gjeçi. Aty, kuptohet se mësueseve u bëhet presion për deklarimin hapur të votës, por vetë Arben Keshi, jep sqarime mbi ato biseda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb