Shkrimtari i njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kim Mehmeti ka reaguar në lidhje me përgjimet e publikuara një ditë më parë nga prestigjiozja “Bild” ku shfaqet kreu i grupit të Shijakutt Astrit Avdylaj teksa komunikon me zyrtarë të PS-së e mbledh vota për këtë parti.

Duke bërë një dallim mes përgjimeve të publikuara në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, Mehmeti thotë se të paktën atje politikanët që kapen në situata të tilla shkojnë në burg, kurse në Shqipëri ata miratojnë ligje dhe kandidojnë në zgjedhje vendore.

“Më pyesin gazetarët se çka i dallon përgjimet e dikurshme telefonike të opozitës maqedonase, që shpalosnin si regjimi kriminel VMRO-BDI kishte marrë zvarrë Maqedoninë, nga këto të sotmet, që tregojnë si mafiozët e kriminelët, ia zgjedhin burrështetasit Shqipërisë? Dallimi është shumë i dukshëm dhe i qartë: ‘bombat’ e opozitës maqedonase, kryesisht shpalosnin si politikanët hajdut, të zgjedhur nga populli, e ndihmonin njëri tjetrin gjatë vjedhjes së shtetit, e përgjimet telefonike lidhur me funksionarët e ‘Rilindjes’ që e sundojnë Shqipërinë, janë më të frikshme dhe tregojnë si politikanët janë në shërbim të kriminelëve e mafiozëve që e kanë zaptuar shtetin! E në ndërkohë, ndodh diçka edhe më e tmerrshme sa kaq: politikanët dhe hajdutët e Maqedonisë, dënohen e shkojnë në burg, e politikanët e Shqipërisë, të zgjedhur nga mafiozët e kriminelët, miratojnë ligje dhe kandidojnë në zgjedhjet vendore”,- thotë ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb