SHKUP- Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev paralajmëron “bomba” që kanë të bëjnë me skandale të ministrave dhe funksionarëve shqiptarë.

I pyetur se pse deri tani janë prezantuar vetëm një pjesë e vogël e incizimeve për funksionarë shqiptarë në qeveri dhe për përshtypjen e krijuar se po kursen ministrat shqiptarë, Zaev edhe njëherë përsëriti se do të publikojë gjithçka që posedon për vepra kriminale, raporton INA.

“Gjithçka zhvillohet sipas skenarit dhe dinamikës që kemi paraparë. Nuk do të kursehet askush që ka qenë i përfshirë në vepra kriminele. Do të ju vijë radha të gjithëve, edhe shqiptarëve, edhe maqedonasve edhe të gjithëve”, u përgjigj Zaev.

Në fund të prezantimit të materialeve nga “bomba” numër 13, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev kërkoi edhe një herë nga kryeministri Nikolla Gruevski të japë dorëheqje dhe shtoi materialet e prezantuara janë vetëm pjesë e dëshmive për “krimin” e qeverisë.

Zaev përjashtoi mundësinë që Gruevski të shkaktojë skenarë destabilizimi, duke thënë se bashkësitë etnike sot janë më të bashkuara se asnjëherë më parë. 

Ja se çfarë nxjerrin bisedat Gruevski – Janakievski për uzurpimin e tokave dhe rastin me Canovskin.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev publikoi “bombat” lidhur me uzurpimin kriminal të tokave ndërtimore në lagjen “Vodno” në Shkup.

Në materialet e lëshuara të përgjimeve dëgjohet zëri i kryeministrit Nikola Gruevski dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski për uzurpimin dhe kushtet e tjera që do të ketë trualli i tij në këtë lagje në periferi të Shkupit.

“Në këto biseda dëgjohet se si Gruevski në mënyrë precize merret vesh me ministrin Janakievski se si do të jetë trualli i tij në Vodno. Ai dëshiron që askush të mos jetë mbi të, kërkon rrugë që të ketë ky truall dhe se përveç se kësaj tregton edhe me prona tjera”, deklaroi Zaev.

Sipas tij, tërë opinioni vendor dhe më gjerë po e ndjek situatën aktuale në Maqedoni. “Shihet qartë se kush janë fajtorët e kësaj situate në Maqedoni. Gruevski për të shpëtuar lëkurën e tij, vazhdon të gënjejë dhe të manipulojë, por edhe trimërohet duke kërcënuar. Ai tani thirret për përgjegjësi dhe kërcënohet, ai i cili kryesisht për qëllime personale ka shkelur kushtetutën dhe ligjet”, deklaroi Zaev.

Zaev tha se tani më u bë qartë se si është qeveria dhe peng i kujt ka qenë shteti për 9 vite me radhë. Ai tha se nuk do të lejojë më që të gënjejë Nikolla Gruevski. “Gruevski, për të shpëtuar lëkurën e tij, vazhdon që të gënjejë, të manipulojë në vend që të jap dorëheqje, por ai nuk ka moral për ta bërë këtë”, tha Zaev.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: