Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka quajtur “brymë mëngjesi”, bisedat e përgjuara telefonike, që po publikohen tashmë e një kohë nga një person nga Kërçova, por me vendbanim në Çikago të Shteteve të Bashkuara, me nofkën “EL Cheka”.


Bisedat e publikuara, protagonist kryesor kanë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, të cilët kryesisht komentojnë e etiketojnë zyrtarët e kësaj partie, por edhe zhvillime tjera që kanë të bëjnë me rastet si “Lagja e Trimave”, të luftimeve në Kumanovë në vitin 2015, pastaj rastin “Monstra” të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas në vitin 2012, si dhe rastin “Brodeci”, një incident në rajonin e Tetovës në vitin 2007 i cili po ashtu kishte përfunduar me viktima.


Ahmeti ka thënë se nuk i ka dëgjuar “bombat”, siç njihen në opinion bisedat e përgjuara telefonike, por nga ajo që i kanë treguar bashkëpunëtorët e tij, bëhet fjalë për biseda private që, ai i ka quajtur, “shaka”. “Nuk i kam dëgjuar bisedat e përgjuara, sepse nuk kam vesh për shaka….kjo është brymë e mëngjesit edhe këto do të ikin sepse njerëzit nuk merren me gjëra të kota… organet e drejtësisë duhet të merren me këto biseda të përgjuara dhe të njëjtat nuk duhet të përdoren në tregun e zi. Le të publikojnë bisedat tona zyrtare. Pse nuk bëhet kjo, por, jepen gjëra të kota” ka deklaruar Ahmeti në Shkup gjatë shënimit të përvjetorit të themelimit të partisë që ai e drejton, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).


Prokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ndërkohë ka urdhëruar nisjen hetimeve për materialet e publikuara, për të cilat, siç tha, nuk ka njohuri se prej nga janë marrë, disa prej të cilave i posedon edhe organi i akuzës që ajo drejton. “Këtë po e analizojmë, ka diçka që është detektuar tek ne… kështu që ende jemi duke analizuar këto biseda. Pra, një pjesë i kemi edhe ne. Për momentin nuk mund të garantojmë nëse ato kanë dalë nga ne pasi po hetojmë”, ka deklaruar Janeva, pa saktësuar qartë nëse materialet e përgjuara që po publikohen në opinion janë ato të cilat i posedon Specialja.

Lënda për këtë rast i ka kaluar për hetim Prokurorisë Themelore në Kërçovë prej nga edhe ka prejardhjen personi që po publikon përmbajtjen e tyre në rrjetin social Facebook. Profilet e tij në vazhdimësi janë mbyllur me ndërhyrjen e institucioneve, por i njëjti ka hapur profile të reja duke paralajmëruar publikimin e mijëra bisedave të përgjuara telefonike.

(Balkanweb)