NGA KLODIANA LALA

TIRANE- Kam folur me gjyqtaren. Duhet të më jepni 2 milionë lekë të vjetra për ta mbyllur çështjen. Ju do të dënoheni me kusht. Do të bëni punë në dobi të bashkisë, në të kundërt rrezikoni deri në tri vite burg”. Kjo është biseda që avokati Gjovalin Ndokaj ka bërë me të pandehurin A.P., të cilin ishte caktuar gjykatësja Parashqevi Ademi për ta mbrojtur. Hetimet për skandalin e korrupsionit në Gjykatën e Lezhës janë mbyllur tashmë nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe gjykatësja Ademi do të ulet në kafazin e hekurt për të dhënë llogari për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Për të njëjtën akuzë do të gjykohet edhe avokati Gjovalin Ndokaj, i cili ra dakord me gjykatësen që A.P. dhe nëna e tij M. të dënoheshin me kusht, në këmbim të një shume parash.

“Gjyqtari nuk ta pret sekondën, kështu është muhabeti”, është përgjuar avokati teksa i thotë të pandehurit A.P., çka sipas prokurorisë, vërteton faktin se mes Ademit dhe Ndokës ka pasur marrëveshje të mëparshme për të kryer aktin korruptiv.

Denoncimi
Më datë 10 qershor 2015, A.P. denoncoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda faktin se avokati Gjovalin Ndokaj, i cili ishte caktuar kryesisht nga gjykata si avokat i tij dhe i nënës së tij, M.P., në gjykimin penal të zhvilluar në Gjykatën e Lezhës i ka kërkuar 2 milionë lekë të vjetra për t’ia dhënë gjyqtares në këmbim të caktimit të një dënimi me kusht. A.P. theksoi para gjykatësve, se avokati i kishte thënë se ai dhe nëna e tij rrezikonin të dënoheshin deri me 3 vite burg. “Më vonë, – thekson kallëzuesi, – avokati më tha se mund të dënoheshim me gjobë rreth 50 mijë lekë, nëse i ofronim një kafe gjyqtares”. Më datë 9 qershor, A.P. ka pasur seancën e radhës dhe avokati i kishte thënë se kishte biseduar me gjykatësen dhe nëse jepnin shumën prej 2 milionë lekësh do të dënoheshin me kusht.
Pas marrjes së këtij denoncimi, prokuroria ka vendosur të përgjojë bisedat e të pandehurit A.P. dhe avokatit Ndokaj, si dhe t’i mbajë në vëzhgim në ambientet publike.

Rezulton se A.P., më datë 10.06.2015, ka nënshkruar marrëveshjen për kryerjen e veprimit simulues, dhënies së shumës prej 200.000 lekësh shtetasit Gjovalin Ndokaj.

Në kushtet kur seanca gjyqësore ndaj A.P. dhe nënës së tij ishte caktuar të zhvillohej më datë 11.06.2015, ora 11:30, prokurorët kanë bërë numërimin, fiksimin dhe dorëzimin e parave që A.P. do t’ia dorëzonte avokatit Ndokaj.

Po në këtë datë, është autorizuar vëzhgimi i fshehtë fotografik, filmik e video në vende publike i shtetasit Gjovalin Ndokaj, dhe sipas raportit të shërbimit datë 11.06.2015, rezulton se shtetasi Gjovalin Ndokaj, pasi ka marrë shumën e parave prej 200.000 lekësh, është drejtuar te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pasi ka qëndruar për njëfarë kohe në ambientet e kësaj gjykate, rezulton se në orën 11:30, ka filluar seanca gjyqësore për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të A.P. dhe M.P., në një nga sallat e gjykimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku rezulton se kallëzuesi A.P. dhe M.P. të kenë hyrë në sallën e gjyqit. Pas disa minutash rezulton se gjyqi ka përfunduar dhe se kallëzuesit janë dënuar me kusht nga gjykata. Po ashtu, pasi kallëzuesi A.P. ka dalë nga salla e gjyqit, avokati Gjovalin Ndokaj ka qëndruar në sallë bashkë me gjyqtaren, dhe më pas ai ka dalë nga salla e gjyqit.

Ndërhyrja e policisë
Pak minuta pas përfundimit të gjyqit, avokati ka dalë nga gjykata dhe është drejtuar për në zyrën e tij. Policia ka ndërhyrë dhe gjatë kontrollit personal të avokatit, atij i është gjetur brenda në çorape shuma prej 150.000 lekësh.

Pas këtij veprimi dhe pas mosmarrjes së një përgjigjeje nga ana e avokatit se ku ndodhej shuma prej 50.000 lekësh, dhe duke qenë menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, oficerët e Policisë Gjyqësore, duke u ndodhur në kushtet e flagrancës, kanë vajtur për kontroll në zyrën e gjyqtares Parashqevi Ademi në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Gjatë kontrollit brenda në çantën e saj, në një portofol me ngjyrë bezhë dhe stampim të kuq në mes, janë gjetur 10 kartëmonedha 5000-lekëshe.

Sipas prokurorisë, nga provat rezulton se e pandehura Parashqevi Ademi, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka pranuar shumën e parave të dhëna nga personi tjetër nën hetim, Gjovalin Ndokaj, të kërkuara paraprakisht nga ana e tij, dhe të marra ato kallëzuesit të veprës penale A.P., në këmbim të një vendimi dënimi me kusht, punë në interes publik.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: