Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu ku publikoi përgjimet telefonike të drejtuesve të policisë me Fredi Alizotin, Ervin Salianji tha se ato janë vetëm “maja e ajsbergut”.
Ai paralajmëroi nxjerrjen e të tjera dokumenteve kompromentuese që siç tha hedhin dritë mbi procesin gjyqësor të manipuluar ndaj tij.
Në vijim deputeti demokrat paralajmëroi kallëzim penal në SPAK ndaj deputetit socialist, Fatmir Xhafaj.
“Do të depozitojmë gjithçka që kemi dijeni. Lidhur me kallëzimin tjetër që do të dërgojmë në SPAK për shkak se Fatmir Xhafajt i është dhënë fuqi dhe mbrojtje politike, ligji nuk funksionin si për të gjithë, duke iu shmangur hetimit pasuror për shkak se është subjekt i ligjit antimafia, do të depozitojmë edhe këtë kjallëzim. Do të merremi më çdo person që është i përfshirë në këtë aferë jo vetëm korruptive, por që minon shtetin e së drejtës, shtetin ligjor dhe e kthen prokurorinë dhe gjykatat si një rast për përdorim politik, për të goditur kundërshtarin politik dhe shantazhuar. Në rastin tim as ma mbyllin dot gojën, as më vendosin dot në pozita të vështira. Do të nxjerrim në çdo rast përgjimet e tjera, do të bëjmë skanim të të gjithë personave të përfshirë”, tha deputeti demokrat.
Ai tha se e gjithë sajesa në lidhje me gjyqin për kallëzimin e pabërë është depozituar në gjykatë për arsye që të shmanget nga kallëzimi i ri vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës.
“Gjyqtari i çështjes i cili është tërhequr në gjykime të tjera të mëparshme për shkak se njihte avokatin tim dhe ka deklaruar se ka konflikt interesi, më pas i ka ikur konflikti i interesit dhe më pas ka marrë përsipër të bëjë një gjë të pamendueshme që nuk është në funksion të ligjit”, tha Salianji.
(BalkanWeb)