Kryeministri Edi Rama i ftuar në Real Story në “Vizion Plus” foli për përgjimet në Durrës, ku në shënjestër ishte Vangjush Dako. Rama tha se dosja është për shantazh nga ndonjë element i lidhur me Prokurorinë, duke theksuar se Vangjush Dako duhet të përgjigjet.


“Dua të them që Prokuroria ka dhënë urdhër absurd për të ndaluar materiale në media. Mendoj se është e gabuar,. Fjala vjen Wikileaks tronditi gjithë botën, por nuk di të jetë hapur proces penal për gazeta të mëdha të botës, por di se u shpall arrest ndërkombëtar për Assange. Kjo është në raport me publikimet.


Çështja ka disa aspekte. Unë e kam thënë se kam neveri nga përgjimet, sepse janë të shumë rrezikshme në aspektin e devijimeve nga e vërteta, sepse mund të nxirren nga konteksti. Jemi në kushtet kur kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat, që duhet të përgjigjet për të vërtetën. Përgjimet nuk janë prova, por indicie që duhen hetuar.


Shikoj që ka shëmti, më vjen për të vjellë kur dëgjoj biseda të caktuara, por ajo që është e rëndësishme është sa këto janë muhabete të materializuara në fakt apo sa janë muhabete njerëzish që bëjnë sikur kontrollojnë planetin në telefon. Di të them se policia po ashtu ka reaguar dhe të gjithë eksponentët e përfshirë janë në burg. Kjo është dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh. Këtë e përdorin për reformën në drejtësi. Një element i Prokurorisë është sigurisht i lidhur me politikën.  Është bërë tani që jemi afër hapjes së negociatave, jo më kot dhe duhet hetuar edhe për nxjerrje të sekretit hetimor. E gjitha është inskenim. Përgjimet si gjyqe popullore”, deklaroi Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Etiketa: