TIRANE- Disa ditë pas publikimit të përgjimit të një bisede telefonike mes ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe vartësit të tij Çlirim Hajdarmataj, kreu i FDSKSH në Tropojë; vjen një reagim nga radhët e PS.

Deputeti Parid Cara përmes një postimi në “FB, thotë se veprimi i ministrit Beqaj për të shkarkuar nga detyra vartësin e tij, pasi nuk mori pjesë në mbledhjen e partisë, është një kosto e panevojshme për kryeministrin Rama dhe qeverinë.

Ai thotë se Ilir Beqaj duhet të japë dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

“Një video e transmetuar pak ditë më parë ku ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është përgjuar teksa shkarkon me telefon një drejtor, ka ngjallur me shumë të drejtë reagim negativ në opinionin publik.
Ministri, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, e konsideron pozicionin që i ka besuar kryeministri, si pronë të cilën mund ta përdorë si të dojë dhe jo si një post që mund të drejtohet vetëm brenda kornizës së parashikuar nga ligji.

Një politikan i përgjegjshëm, pas asaj telefonate të transmetuar në emisionin “Stop” duhet të jepte dorëheqjen menjëherë. Kjo qeveri dhe kjo maxhorancë nuk mund të mbajnë kosto që nuk lidhen drejtpërdrejtë me punën e saj, por me tekat dhe arrogancën e një ministri.

Ilir Beqja duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet, pasi çdo ditë më shumë ai në pozicionin e ministrit është kosto e panevojshme për Qeverinë në sytë e opinionit publik”, shkruan deputeti Cara.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb