Familja e Altin Laçit, nga Njësia Administrative Katriot i Dibrës, pas pesë vitesh emigracioni në Suedi është kthyer në vendlindje për të vijuar jetën në Atdhe. Por peripecia e parë që ka hasur kjo familje është mosregjistrimi i fëmijëve në shkollë. Që prej 1 shtatorit kryefamiljari po troket dyerve të institucioneve për regjistrimin e fëmijëve, dhe kjo është arritur vetëm për vajzën që vazhdon klasën e parë.


Ndërsa dy fëmijët e tjerë, Ordit dhe Klajdi duhet të vijonin respektivisht klasën e 9-të dhe të 6-të, gjë që ende nuk ka ndodhur. Kryefamiljari Altin Laçi deklaron se e ka të plotë gjithë dokumentacionin ligjor nga institucionet përkatëse arsimore në Suedi që i nevojitet Zyrës Arsimore Vendore Dibër për regjistrimin e fëmijëve në shkollë. Por në shkollën që do t’i dërgojë fëmijët i kërkojnë të tjera elemente shtesë për njohjen e këtyre dokumenteve. Nga ana tjetër Altini insiston se për ligjet e shtetit suedez këto dokumente shkollore janë të rregullta.


Njëri nga djemtë e Altinit, Klajdi, që duhet të vijonte klasën e 6-të në vitin shkollor 2019-2020, lutet që të mos pengohet nga institucionet e shtetit shqiptar për të vijuar shkollën si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
Ministria e Arsimit me një udhëzim të posaçëm u ka bërë thirrje institucioneve vartëse që fëmijët e familjeve të kthyera nga emigracioni të ndihmohen për t’u integruar në shkollat e sistemit shqiptar. Por me sa duket rasti i këtyre fëmijëve dëshmon krejt të kundërtën.

(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: